“Kemi zhvilluar një takim inicial me grupin parlamentar të LDK-së ku unanimisht është vendosur që nuk do të ketë koalicion me PDK-në apo me PAN-in. Po ashtu është thënë që LDK-ja do të jetë e hapur për të diskutuar me Vetëvendosjen, por edhe me AAK-në dhe Nismën, në qoftë se ato shkëputen nga PDK-ja”.

Kështu ka deklaruar Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe femra më e votuar në zgjedhjet e 11 qershorit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka folur edhe në lidhje me mundësinë që ajo të merr postin e kryetares së LDK-së.

“Sikur çdo herë tjetër që e kam thënë, e tëra që unë duhet ta përsëris është që nuk ka rëndësi posti që e kam, me rëndësi është që unë të jem pjesë e një procesi të ndryshimeve pozitive dhe reformave të thella në LDK”.

“Për këtë jam angazhuar për vite me radhë dhe për këtë do të vazhdoj të angazhohem pavarësisht pengesave që do të jenë. Tek e fundit, nuk është me rëndësi emri dhe mbiemri i kryetarit të partisë, me rëndësi është që LDK-ja të rikthehet si fuqi e parë në vend, dhe për këtë unë do ta jap kontributin tim, pavarësisht pozitës që e kam

”, ka thënë ajo./ Klan Kosova.