Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka reaguar lidhur me lëndimin e qytetarëve në mitingun e çeljes së fushatës së Partisë Demokratike, e cili u mbajt ditën e shtunë në orën 19:00, para Kryeministrisë.

Pas përfundimit të mitingut dhjetëra persona janë paraqitur në QSUT me djegie dhe sy të ënjtur.

Reagimi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani po ndjek me shqetësim dhe angazhim maksimal situatën e rëndë që ka shkaktuar lëndimin e një numri të madh qytetarësh përfshirë edhe liderin e opozitës, z. Lulzim Basha, gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale të opozitës ditën e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Presidenti i Republikës uron së pari shërimin sa më parë të të lënduarve dhe tejkalimin e kësaj situate pa pasoja.

Presidenti po mban kontakte me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për t’u informuar për zhvillimin e kësaj ngjarjeje si dhe kërkon angazhimin maksimal të tyre në zbulimin e plotë të saj./

tvklan.al