I ftuar për të folur për “Letërsi në nxitim” në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë të zhvilluar në Tiranë, gazetari Blendi Fevziu, interesit të bashkëbiseduesve për polemikat e shkaktuara nga sulmi i Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve iu përgjigj kështu:

“Nuk Besoj se i ka fyer, sepse që të të fyejë duhet të jetë njeri shumë i rëndësishëm. Unë mendoj se Rama më shumë se sa në raport me mediat, ka tentuar të tërheqë vëmendjen nga skandalet e radhës dhe ka tentuar të tërheqë furtunën mbi vete dhe kjo është një strategji PR-i në të cilën për hir të së vërtetës Rama është shumë i mirë.”

Si autor i dy librave biografik ai për Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun, ai vlerëson se politikani që mund të jetë në të ardhmen personazh i librave të tij është Sali Berisha.

“Është shumë interesant. Pas vitit 1990, por edhe tani vazhdon të ketë një ndikim, Berisha ka qenë ndoshta personazhi më influent i historisë së Shqipërisë.”

I mendimit se çdokush që angazhohet të shkruajë, pavarësisht vlerave letrare, jep një kontribut për vendin e tij, Blendi Fevziu e ka një kritikë edhe për historianët, qofshin ata të vjetër apo të rinj.

“Kanë një paaftësi totale të reagimit ndaj shikimit serioz të historisë. Në qoftë se ne kemi një fushë që e kemi sot më problematike dhe gati-gati qesharake, ajo është historiografia.”

Cili është roli i medias?

“Po mund të kishe pyetur Edi Ramën më mirë për këtë sepse këto ditë është edhe më në formë për këtë çështje.”

Në bashkëbisedimin me të rinjtë dhe nën moderimin e gazetares Alda Bardhyli, Blendi Fevziu foli për poezinë e tij të parë të shkruar në klasë të shtatë për Arbëreshët e Italisë, për dy kritikët që i beson krijimtarinë e tij, Aurel Plasari dhe Pirro Misha, për interesin e momentit ndaj librave historikë dhe shkrimtarin e fundit që lidhet me luftën në Kosovë.

Tv Klan