Pas tërheqjes së Partisë Demokratike nga vendet e rezervuara, Ambasadori amerikan Donald Lu, përmes një letre drejtuar deputetëve të Kuvendit, ka sqaruar publikisht, arsyet se përse kjo formulë është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim”.

Ambasadori Lu thotë se Venecia nuk i ka rekomanduar apo përmendur kurrë vendet e rezervuara në paragrafët 61 dhe 88, të cilët ai ia ka bashkangjitur letrës.

“Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave, për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që, nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara”.

Paragrafi 61 i Komisionit të Venecias veren se “Për rastin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, për të shmangur ngërçin politik, i cili është tepër i mundur në rast të një pragu tepër të lartë, ligjbërësi mund të konsiderojë modele të tjera alternative të zgjedhjes së anëtarëve”.

Paragrafi 88 rekomandon që 

“Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar për anëtarët e 4 institucioneve të reja të drejtësisë, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”.

Opozita, duke këmbëngulur tek përfaqësimi politik, që përmend neni 88 i Venecias, publikoi më 8 Qershor disa email -e për t’i dëshmuar publikut se vendet e rezervuara i ishin propozuar nga misioni amerikan OPDAT dhe europianët e EURALIUS. Partia Demokratike është tërhequr tashmë nga vendet e rezervuara dhe ka një propozim të ri.

Ambasadori Lu shprehet se ka ende kohë për të gjetur kompromisin mes mazhorancës dhe opozitës. Por nëse politika dështon, u kërkon deputetëve votën individualisht, pasi sqaron se drafti i 14 Qershorit, i votuar në Komisionin e Reformës, përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane dhe se kjo është koha për vendim.

Tv Klan

Letra 1

Letra 2

letra 3

Letra 4