Kryeministrja britanike Theresa May bëri sot të ditur planin për të thërritur zgjedhje të parakohshme më 8 Qershor.

Në një dalje për mediat në Downing Street, Kryeministrja May tha se Britanisë i nevojitet siguri, stabilitet dhe lidership i fortë, pas referendumit për daljen nga Bashkimi Europian.

Duke justifikuar vendimin e saj, May iu referuar Brexit duke thënë:

Vendi po e mer veten, por Westminster ende jo.

Pritet që të mërkurën, parlamenti të votojë për propozimin e Kryeministres për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Duke shpjeguar këtë vendim, May tha më tej:

“Kam dalë në konkluzionin se e vetmja mënyrë për të garantuar qartësi e siguri për vitet që do të vijnë është duke mbajtur këto zgjedhje.” 

May i akuzoi partitë e tjera duke thënë se “po luajnë lojëra”, ndërsa shtoi se kjo rrezikon stabilitetin për të pasur një Brexit të suksesshëm dhe do të shkaktojë paqartësi të dëmshme e destabilitet për vendin.

Ndaj na duhet zgjedhje e përgjithshme dhe do ta kemi një të tillë. Në këtë moment kemi një shans të vetëm për t’ia dalë mbanë”.

Për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve konservatorët duhet të sigurojnë rreth dy të tretat e votave të deputetëve. /tvklan.al