lezhe

Pas skandalit të një dite më parë, ku policia e Lezhës trasnportoi me kamionçinë trupin e pa jetë të një 60 – vjeçar, policia ka nisur nje procedim penal për drejtorin e Spitalit të Lezhës, një mjek ligjor dhe një tjetër mjek të këtij spitali.

Policia i akuzon për abuzim me detyrën, për shkak se spitali refuzoi të dërgonte një autoambulancë për të transportuar trupin.

Drejtori i Spitalit, Nevruz Bare deklaroi një ditë më parë se ai nuk mund ta dërgonte autoambulancën, për shkak se e pengonte një urdhër i Ministrit të Shëndetësisë.

Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë pranojnë se ky urdhër ekziston dhe ai është i 5 viteve më parë. Për ngjarjen e një dite më parë u pezulluan nga detyra edhe 3 punonjës të policisë, për shkelje të rëndë të kodit rrugor dhe shpërdorim detyre.

Trasportimi i kufomës me kamionçinë bie ndesh edhe me ligjin për shërbimin publik të varrimit. Në nenin 24 të tij thuhet se Transportimi i kufomës nga vendi i vdekjes deri në morg ose në varrezë bëhet me automjete të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e policisë bashkiake ose komunale.

Ndalohet të kryhet transportimi i kufomave përpara periudhës së observimit, të këshilluar nga grupi mjekësor, gjatë së cilës mund të shfaqen raste eventuale të kthimit në jetë.

Tv Klan