Lezhë – Një borxh i marrë për bixhoz dhe i pashlyer ka nxitur një konflikt me armë mes disa personave mbrëmjen e djeshme në Lezhë ku për pasojë dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21 në një lokal në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të Lezhës. Si pasojë e këtij konflikti të plagosur kanë mbetur shtetasit Tonin Kola 35 vjeç, banues në fshatin Naraq të Shkodrës dhe Marjan Nikolli 41 vjeç banues në Tiranë.

Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të këtij krimi të cilët janë vëllezërit Vlash dhe Vlad Seferaj përkatësisht 31 dhe 27 vjeç banues në Tiranë.

Sipas policisë dy vëllezërit Seferaj janë konfliktuar me Marjan Nikollin për një borxh të pashlyer prej këtij të fundit.

Pasi nuk kanë gjetur zgjidhje të problemit ata kanë shkëmbyer zjarr mes tyre e për pasojë kanë mbetur të plagosur Marjan Nikolli dhe shoku i tij Tonin Kola.

Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja pistolete dhe tre fishekë dhe një automjet.

Dy të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit Marjan Nikolli, si dhe shtetasin Briken Kovaçi 25 vjeç ,  për moskallëzim krimi.

Blutë e Lezhës shpallën në kërkim dhe po punojnë për kapjen e dy vëllezërve Vlash dhe Vlad Seferaj për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Tv Klan