Kushti për liberalizimin e vizave dhe mosdakordësia për të ndryshuar ligjin anti-terror, janë dy çështje që vënë në rrezik marrëveshjen BE-Turqi për emigrantët nga Lindja e Mesme. Alarmi vjen nga e përditshmja gjermane “Bild”,  e cila citon Ministrin e Brendshëm gjerman, Tomas de Maziere. Sipas gazetës gjermane, Ministri de Maziere, ka thënë se nëse Turqia nuk plotëson kriteret, nuk do të ketë liberalizim të vizave me vendet e Shengenit.

Parlamenti Europian gjithashtu kërcënoi se do të bllokojë liberalizimin e vizave nëse ping-pongu politik mes BE-së dhe Turqisë do të vazhdojë. Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulz, tha se “është absolutisht jashtë çdo diskutimi”, diskutimi në Parlament, përpara se Ankaraja të plotësojë kriteret. Në një intervistë për televizionin publik “Deutschlandfunk”, Shulz tha se kjo çështje nuk mund të zgjidhet përpara muajit Korrik.

Heqja e vizave për shtetasit turq është një nga pikat e marrëveshjes mes BE-së dhe Turqisë për emigrantët nga Lindja e Mesme. Por Brukseli këmbëngul se Ankaraja duhet gjithësesi të plotësojë kriteret, një prej të cilave është edhe ndryshimi i ligjit anti-terror. Autoritetet turke kërcënuan se do të kthejnë refugjatët mbrapsht nëse BE merr vendim të gabuar. Më herët presidenti turk Rexhep Taip Erdoan u shpreh i vendosur për të mos ndryshuar këtë  ligj, pasi vendi i tij cënohet nga terrorizmi.

Tv Klan