Pas rezultateve të referendumit të mbajtur të enjten, që vendosi për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, kanë ardhur dhe reagimet e liderëve botërorë. 

Teksa disa e konsiderojnë Brexit si një votë sovraniteti për Britaninë, të tjerë shqetësohen për të ardhmen e Unionit.

Kancelarja gjermane Angel Merkel u shpreh e keqardhur për largimin e Britanisë, por tha se Bashkimi Europian duhet të qëndrojë i bashkuar në bërjen e analizës dhe në marrjen e vendimeve. 

“Duhet të bëjmë të mundur që njerëzit të ndjejnë se Bashkimi Europian është i rëndësishëm për jetën e tyre, se është një bashkim unik i solidaritetit dhe i vlerave”,

tha Merkel.

Presidenti francez, François Hollande tha se vota e Brexit ishte

“një test i vështirë për Europën”,

duke shtuar se negociatat për largimin e Britanisë nga blloku duhet të jenë të shpejta.

Në reagimin e tij, Presidenti amerikan Barack Obama tha se ndihej i keqardhur për divorcin mes Britanisë dhe BE, ndërsa theksoi se dëshiron të mbajë marrëdhënie miqësore me të dyja palët.

“Populli i Mbretërisë së Bashkuar foli dhe ne respektojmë vendimin e tyre. Marrëdhënia e veçantë mes SHBA dhe Britanisë është e qëndrueshme dhe parneriteti saj në NATO mbetet jetësor për sigurinë dhe ekonominë. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian, që ka bërë kaq shumë për të promovuar stabilitetin, ka stimuluar rritjen ekonomike dhe ka ushqyer përhapjen e vlerave dhe idealeve demokratike nëpër kontinent e më gjerë. Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian do të mbeten partnerë të padiskutueshëm të SHBA, edhe teksa nisin negociatat për marrëdhënien e tyre për të siguruar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në Europë, në Britaninë e Madhe, në Irlandën e Veriut dhe në botë”.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras deklaroi se kërkohet një vizion i ri për një Europë më të mirë.

“Zgjedhjet ekstreme për masa shtrënguese që zgjeruan pabarazitë mes vendeve të veriut dhe jugut, barrierat dhe mbylljet e kufijve dhe mohimi për të ndarë peshën e borxhit dhe krizës së emigratëve, kishte sinjalizuar një krizë të gjerë në Europë,”

tha Tsipras.

“Na nevojitet në mënyrë urgjente një vizion dhe një fillim i ri për një Europë të bashkuar, për një Europë më të mirë, më shumë sociale dhe demokratike.”

Presidenti i Këshilli Europian, Donald Tusk, në deklaratën e tij tha se nuk ka asnjë mënyrë për të parashikuar pasojat politike të këtij vendimi, veçanërisht për Britaninë e Madhe. 

“Por ky është një moment historik dhe nuk është çasti i duhur për të patur reaksione histerike”,

tha ai. Tusk theksoi se Bashkimi Europian ishte i përgatitur për këtë “skenar dramatik” dhe se vendet anëtare janë të vendosur për ta mbajtur BE të bashkuar.

Komisioneri për Zgjerimin Europian Johannes Hahn, tha se rezultati i referendumit britanik nuk duhet dhe nuk do të ndalë procesin e zgjerimit të BE-së. 

“BE-ja është ende e angazhuar për zgjerimin, nuk ka dyshim për këtë. Ne po vazhdojmë punën që kemi nisur që deri tani nuk është e plotë. 

Është arritur shumë në Ballkan në dy vitet e fundit dhe ne nuk duhet të bëhemi “të lodhur apo të dëshpëruar”, pas referendumit të sotëm në Mbretërinë e Bashkuar. Ne jemi të vetëdijshëm dhe kemi qenë edhe më përpara. Procesi i integrimit është diçka që kërkon kohë dhe për këtë arsye unë preferoj të flas për një proces dhe jo për negociata”

.

Jean – Claude Juncker, shefi i Komisionit Europian deklaroi se BE nuk do të “bëjë hapa prapa” për të ndihmuar Britaninë që të rinegociojë marrëveshjet e tregtisë me vendet që janë nën çatinë e Bashkimit Europian.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz tha se pret që negociatat për largimin e Britanisë nga BE të nisin sa më shpejt.

“Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që të shkojë në rrugën e saj. Mendoj se të dhënat e ekonomisë, treguan këtë mëngjes se rruga e saj do të jetë tepër e vështirë”.

Manfred Weber, lideri i Partisë Popullore Europiane u shpreh se Britania nuk duhet të presë një rrugë të lehtë teksa negocion largimin e saj. “

Nuk do të ketë asnjëlloj trajtimi special për Mbretërinë e Bashkuar. Britanikët shprehën vullnetin e tyre për t’u larguar nga BE. Largimi do të thotë largim”

. Weber insistoi që largimi të përmbyllet brenda dy viteve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO –s, Jens Stoltenberg tha se pozita e Britanisë në aleancë do të mbetet e pandryshuar.

Kandidati i republikanëve për president të SHBA, Donald Trump përshëndeti daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian duke u shprehur se britanikët rimorën vendin e tyre. 

“Ato rimorën përsëri vendin e tyre. Kjo është madhështore”, 

u shpreh kandidati për president i SHBA,  i cili dhe më parë kishte mbështetur largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, bëri deklarata të ngjashme sa i përket emigrimit. Rezultatet sipas tij treguan sesi britanikët “mund ta mbajnë ishullin e tyre”.

Marine Le Pen, e Frontit Nacional në Francë, shkruajti në Twitter:

“Fitore Lirisë!” E kam kërkuar prej vitesh dhe tashmë është e nevojshme që Franca dhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian të mbajnë referendum

.”

Geert Wilders, i të djathtës hollandeze i bëri thirrje Hollandës për të mbajtur gjithashtu referendum për të votuar për qëndrimin ose jo në BE.

Ndërsa Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon tha se rezultatet e “Brexit”, tregojnë se Skocia ka shumë gjasa që të mbajë një referendum për Pavarësinë nga Britania.

Kryeministri i Çekisë, Bohuslav Sobotka tha se BE duhet të bjerë dakord që largimi i Britanisë të jetë

“i shpejtë dhe racional”

. Ai u shpreh se projektet europiane kanë nevojë për mbështetje më të fortë për qytetarët e saj.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski u shpreh i shqetësuar për 850,000 polakët që jetojnë në Britani.

“Është një lajm i keq për Europën dhe për polakët. Statusi i polakëve që jetojnë atje nuk do të ndryshojë tani për tani, por asnjë nuk e di vërtetë sesa do të ndryshojë statusi i Britanisë”.

Pavel Filip, Kryeministri i Moldavisë, tha se vota e largimit ishte një

“ditë e trishtueshme për Europën”.

Taro Aso, Ministri japonez i Financave, mbajti një konferencë urgjente për shtyp, ku tha se Tokio ishte “tepër e shqetësuar” për rreziqet që i kanosen ekonomisë globale dhe tregut, por se është gati për t’iu përgjigjur me “vendosmëri”.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier paralajmëroi në fillim të këtij muaji tha se largimi i Britanisë do të ishte shokues dhe do të kërkonte veprim të shpejtë për të parandaluar “shpërbërjen” e bllokut. Në një postim në Twitter, sot ai shkruajti:

“Duket një ditë e vështirë për Europën e Mbretërisë së Bashkuar”.

/tvklan.al