takimi-eurogrupit

Zgjati më shumë se 2 orë e 30 minuta takimi i liderve të Eurozonës, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën e borxheve greke. Në përfundim të tij u ra dakord për mbajtjen e një tjetër samiti më të zgjeruar të krerëve të Bashkimit Europian ditën e dielë.

BBC e përkufizoi takimin të tensionuar që në fillim, për shkak se Kryeministri greek Aleksis Cipras, kërkoi një tjetër borxh për kaluar gjendjen e emergjencës në bankat e mbyllura. Ai tha se për çështjen e borxhit kishte një plan të detajuar për dalje nga situata e krijuar. Pas takimit Merkel tha se Cipras i ka tashmë duart e lidhura pas referendumit të zhvilluar.

Angela Merkel – Kancelare e Gjermanisë: “Pas referendumit, qeveria greke ka më pak dorë të lirë për të manovruar. Pas asaj që ndodhi të dielën pozicioni i Kryeministrit grek Cipras është përforcuar më shumë, por liria e përfaqësuesve të 18 vendeve të tjera të Eurozonës është kufizuar. Të mërkurën Greqia do të dorëzojë një kërkesë të re për hua dhe një listë me propozime për daljen nga kriza. Të dielën do të vendoset në një samit të krerëve të Bashkimit Europian”.

Presidenti i Komisionit Europian Jean Klod Junker tha se Greqia ka afat deri të premten të dorëzojë propozimet e saj. Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u shpreh optimist për gjetjen e konsensusit. “Ne duam një zgjidhje që nuk ka të humbur”, tha ai pas takimit. Sipas tij, në 5 ditët e ardhshme do të gjendet një marrëveshje.

Më i qartë ishte presidenti frabcez François Hollande: “Ne duam që Greqia të mbetet në Bashkimin Europian. Populli grek po vuan por në Eurozonë ka rregulla”, tha ai, duke nënvizuar se tani u mbetet grekëve të vendosin për të ardhmen.

Tv Klan