NISHANI NIKOLLA

Pasi stafet akademike i kërkuan të mos e dekretojë ligjin për Arsimin e Lartë se bie ndesh me Kushtetutën dhe autonominë e Universiteteve, Presidenti Bujar Nishani u takua në mesditë edhe me Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

Takimi mes kreut të shtetit dhe Ministres së Arsimit, Nikolla, zgjati për afro dy orë. Në njoftimin e shpërndarë nga Zyra e Shtypit pranë Presidencës, sqarohet se kreu i shtetit e vlerësoi si shumë pozitiv vullnetin dhe angazhimin e qeverisë në ndërmarrjen e reformës në Arsimin e Lartë duke u shprehur se, “Reformat duhen bërë sipas kritereve dhe parimeve ligjore të sanksionuara në Kushtetutë si dhe duke ndjekur modelet më të mira ekzistuese.”

Në njoftim thuhet se gjatë takimit janë shkëmbyer mendime dhe pikëpamje lidhur me vlefshmërinë ligjore dhe kushtetuese të ligjit, përputhshmërinë me të mirën publike, mbrojtjen dhe përfaqësimin sa më të mirë e gjithëpërfshirës të interesave të studentëve, profesorëve dhe pedagogëve.

Frymën konstruktive të takimit me kreun e shtetit e konfirmoi edhe Ministria Nikolla. Në një prononcim të shkurtër për mediat, ajo tha se e kishte siguruar Presidentin se, ligji për Arsimin e Lartë sjell përmirësime të ndjeshme për studentët dhe pedagogët dhe është në përputhje me Kushtetutën.

Ndonëse nuk konfirmoi të kishte marrë nga kreu i shtetit një përgjigje pozitive për dekretimin e ligjit, u shpreh e sigurt për firmën e Presidentin Nishani.

Takimi i kreut të shtetit me Ministren Nikolla vjen në kuadër të konsultimeve që Presidenti ka ndërmarrë përpara se të shprehet me dekret për ligjin e miratuar nga mazhoranca.

Në fillim të javës, Presidenti u takua me stafet akademike. Pedagogët i kërkuan Presidentit Nishani të mos e dekretonte ligjin e Arsimit të Lartë, pasi cënon autonominë e universiteteve dhe Kushtetutën. Në bazë të Kushtetutës, Presidenti duhet të shprehet me dekret brenda 20 ditësh pas mbërritjes se ligjit në zyrën e tij.

Tv Klan