Deri para zgjedhjeve lokale në vjeshtë do të miratohet ligji për përdorimin e gjuhëve, që njëherësh është edhe ndër sfidat kryesore të qeverisë së re, është shprehur kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Ai tha se ligji nuk rrezikon asnjë komunitet në vend dhe se zgjidhja që do të miratohet do të jetë në përputhje me konventat ndërkombëtare. “Nga kjo askush nuk humb asgjë, pasi në përputhje me konventat evropiane, çdokush ka të drejtë barazie në këtë shoqëri. Zgjidhja ligjore po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe besoj që shumë shpejt do të kalojë për debat në qeveri, dhe më tej do ta procedojmë tek Komisioni i Venecias dhe në Parlament”, ka thënë kryeministri Zoran Zaev.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe do të ripërpunohet dhe pritet që të kalojë në seancë qeveritare. Në seancën e fundit të qeverisë, projektligji ka ngecur tek formimi i organeve të reja të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve dhe tek Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, për të cilat duhet të përkufizohet edhe konfirmohet kompetenca e tyre.

Qëndrimet partiake për ligjin për gjuhët

Partitë shqiptare, në veçanti Aleanca për Shqiptarët, pjesë e qeverisë me kusht që zgjidhja e çështjes së gjuhës shqipe të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë , thotë se janë pajtuar të gjitha palët. “Nuk ka pengesa për shqyrtimin e ligjit të gjuhëve, propozimi do të kalojë në seancë qeveritare në njëqind ditët e para nga puna e përbërjes së re qeveritare”, thotë Arben Taravari nga Aleanca për shqiptarët.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi vlerëson se zvarritja e ligjit për gjuhën shqipe dëshmon që BDI ka hyrë në qeveri pa marrëveshje. “LSDM nuk do që të sjellë ligjin për gjuhët pasi kjo ndikon në rejtingun e saj, ndërkaq BDI nëse nuk shkon në zgjedhje pa ligjin e gjuhëve do të përjetojë fiasko në zgjedhjet lokale”, thotë deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.

Nga LSDM-ja ndërkohë thonë se miratimi i këtij ligji nuk mund të jetë arsye për çdo vonesë, as edhe për zgjedhjet lokale. VMRO-DPMNE-ja ka deklaruar se shpreson që nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale nga asnjë shkak, a më pak për shkak të sjelljes së këtij ligji.

Me ligjin e ri avancim të përdorimit të shqipes

Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe pritet të jetë gjithëpërfshirës e që njëherë e përgjithmonë të eliminojë interpretimet e ndryshme në të kaluarën, duke ndërlikuar edhe më shumë çështjen, nëse shqipja është apo jo zyrtare dhe në cilat institucione mund të përdoret, thonë ekspertët. Sipas analistit Naser Zyberi, ligji për përdorimin e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë nuk pritet t’i mbyllë të gjitha dilemat dhe zbrazëtitë për arsye se vetë Kushtetuta e Maqedonisë e pamundëson një gjë të tillë. Megjithatë ai thotë se ligji i paralajmëruar do të avancojë përdorimin e gjuhës shqipe.

“Shumica e dispozitave të ligjit janë të harmonizuara mes partnerëve të koalicionit. Sjellja e ligjit do ta avancojë përdorimin e gjuhës shqipe dhe defektet që në të kaluarën i kemi pasur në shumë njësi të vetadministrimit lokal sidomos në qytetin e Shkupit dhe në shumë institucione, përfshi këtu ato të gjyqësorit, por edhe të administrarës shtetërore dhe publike do të jenë të detyruar që ta përdorin me një standart shumë më të lartë se ligji dhe praktika e deritanishme”, vlerëson Ziberi.

Bilalli: Karakter zyrtar i shqipes

Profesori universitar Mersel Bilalli thotë se partitë duhet të kenë kujdes që zgjidhja që mund të miratohet, të mos mund t’i nënshtrohet, apo të lihet hapësirë që e njëjta të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Me ligjin e ri mendoj se gjuha shqipe praktikisht do të marrë karakter zyrtar edhe në institucionet shtetërore qendrore. Megjithatë, vlerësoj se kapaciteti kushtetues është i kontestueshëm, kështu që mund t’i jep shans VMRO-së që të zgjasë debatin dhe ta kontestojë këtë ligj”, thotë profesori universitar Mersel Bilalli.

Më kritik është analisti Nijazi Muhamedi. Ai thotë se gjuha e 20% është një mohim skajshmërisht racist i identitetit dhe i popullit shqiptar nga ana e maqedonasve. “Qeveria e sotme shqiptare imperativisht të kërkojë heqjen e këtij poshtërimi dhe të kësaj mosnjohje të popullit shqiptar nga Kushtetuta e Maqedonisë, si kusht për marrëdhënie të mira fqinjësore.” /Deutsche Welle