Shqipëria do të vendosë në axhendën e takimeve me zyrtarë të Europës si një ndër çështjet e para, atë të funksionimit të linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Deklaratën e ka Ministri i Infrastukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një takimi me homologun kosovar, Valdrin Lluka.

“Edhe ne si anëtarë të Rrjetit Europian të Energjisë, nëpërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit do të bëjmë gjithçka që kjo çështje të ngrihet në nivelet më të larta”.

Ndërsa pala kosovare do të bëhet pjesë e bursës shqiptare të energjisë duke blerë aksione në emër të Transmetuesit Publik.

“Transmisioni i Kosovës do të jetë pjesë e bursës shqiptare në formë aksionari dhe grupi i punës do t’i definojë më tej detajet”.

Berlini zyrtar i kërkoi para dy javësh Sekretaritetit të Energjisë që të ndërmjetësojë negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit për të zgjidhur mosmarrëveshjen me linjën e tensionit të lartë 400 kv.

Ky investim 42 milion euro është bërë me paratë e Bankës Gjermane për Zhvillim, por edhe pse ka më shumë se 1 vit që ka përfunduar, ende nuk ka hyrë në punë, pasi Serbia nuk njeh pavarësinë e sistemit të transmetimit të Kosovës, i cili më pas bëhet pjesë e transmetuesit europian.

Tv Klan