Ngritja simbolike e çelësit në Nënstacionin Tirana 2, në Kashar, ka shënuar fillimin e funksionimit të linjës së interkonjeksionit 400 kV, Shqipëri – Kosovë.

2 kryeministrat, Edi Rama dhe Isa Mustafa ishin të pranishëm në ceremoninë e organizuar në përfundimit të këtij projekti, i cili ka nisur 6 vjet më parë. Ata e konsideruan këtë linjë, si autostradën energjitike, me rëndësi jo vetëm për furnizimin normal me energji elektrike në dy vendet tona, të njohura për kufizimet sistematike, por dhe për krijimin e një tregu rajonal energjitik.

Projekti i linjës së interkonjeksionit është financuar nga banka gjermane KfW.

Në pjesën e Kosovës, punimet kanë përfunduar në fund të vitit të shkuar, ndërsa në vendin tonë, ndërtimi nisi vetëm në Prill të 2014, për të përfunduar këtë Qershor.

Investimi për pjesën e Shqipërisë ka një vlerë 29 milionë euro.

Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë ka një gjatësi totale 241.1 kilometra, nga të cilat, 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra, shtrihen në territorin e Kosovës.

Tv Klan