Gjykata e Apelit në Durrësit ka lënë në fuqi vendimin për “arrest me burg” për ish-¬drejtorin e Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj. Mbi të rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, të cilat kanë sjellë për pasojë lirimin para kohe nga burgu të Lulzim Berishës.

Ai thotë nuk është përgjegjësi e tij të bëjë përllogaritjet e dënimeve, por e zyrës juridike. Por prokuroria gjatë hetimeve ka faktuar se ai së bashku me juristin e burgut Teodor Labi, i biri i ish – drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, i arrestuar për korrupsion, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.

Labi është shpallur në kërkim për të njëjtat akuza. I dënuari Lulzim Berisha duhej të kryente të paktën edhe 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga lirimi me kusht. Atij i kishin mbetur edhe 5 vjet burg për të bërë.

Prokuroria e Durrësit po kalon në sitë edhe vendimet e disa trupave gjyqësore në Krujë dhe Durrës që i kanë ulur dënimin Berishës. Gjithashtu po verifikohen edhe veprimet e prokurorit të ekzekutimeve në Prokurorinë e Rrethit./ tvklan.al