Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin kryesisht në lidhje me lirimin e kreut të bandës famëkeqe të Durrësit, Lulzim Berisha.

Sipas organit të akuzës po hetohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar ndër të tjera se, Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin e saj datë 05. 12. 2016, ka vendosur :“

…Pranimin e kërkesës së të dënuarit Luzim Berisha dhe lirimin me kusht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit penal me burgim të dhënë me vendimin nr. 1, date 16. 01. 2012, te Gjykatës për Krime të Renda, i ndryshuar me vendimin nr. 175, datë 16. 07. 2014, të Gjykatës së Larte,

për pjesën e mbetur të pavuajtur të dënimit, prej gjashte vjet e dy muaj e 22 ditë burgim…”. Nga të dhënat paraprake, rezulton se Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate për ulje dënimi, si edhe ka përfituar nga ligji i vitit 2012 “Për Amnistinë”.

Gjithashtu, nga informacioni i publikuar në media, thotë organi i akuzës, rezulton që në vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, shkruhet se

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për tu punësuar në ndonjë subjekt privat”. 

Nën hetimin e prokurorisë janë vendimet e dhëna, në kohë të ndryshme për të dënuarin Lulzim Berisha nga gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, për përfitim të uljes së dënimit, përfitimit të amnistisë, si dhe ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga Burgu i sigurisë së lartë, në atë të zakonshëm.

Prokuroria e Durrësit ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të të dënuarit Lulzim Berisha./ tvklan.al