Vendimi i gjykatës së Durrësit për lirimin e një profesori turk, të kërkuar nga drejtësia turke si anëtar i rrjetit të Gylenit, ka shkaktuar zemëratë të fortë në Ankara.

Ambasada turke në Tiranë e ka cilësuar si skandaloz vendimin e gjykatës dhe në kundërshtim me konventat e nënshkruar si nga Turqia ashtu dhe nga Shqipëria.

Zyrtarët e Ambasadës kanë deklaruar se gjyqësorit shqiptar i është vënë në dispozicion i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për të mbajtur 40 ditë në burg të akuzuarin për terrorizëm, deri në ekstradimin e tij.

Tashmë sipas Ambasadës, një terrorist po lëviz i lirshëm me një pasaportë të falsifikuar duke përbërë rrezik edhe për sigurinë e Turqisë dhe të Shqipërisë.  Sipas ambasadës, edhe vetëm përdorim i dokumenteve të falsifikuara ishte një argument për ta mbajtur në burg, Mohamed Jasir Aydogmus.

Profesori i një universiteti në Stamboll, Aydogmus ishte arratisur për t’i shpëtuar arrestimit në dhe përmes Shqipërisë po tentonte të kalonte në Itali. 

Çështja Aydogmus do të jetë një precedent për raste të tjera të shtetaseve turq që arratisen për t’i shpëtuar arrestimeve si Gylenistë, të cilët në Perëndim dhe në Shqipëri nuk konsiderohen si terroristë. Dhe kjo pritet të shkaktojë polemika në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Burimi: Klan Plus