Astrit Kotaj, ish – Drejtori i Burgut të Durrësit është lënë i lirë nga Gjykata e Lartë.

I ndaluar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, të cilat sipas prokurorisë kanë sjellë lirimin para kohe nga burgu të Lulzim Berishës, gjykata vendosi ta zbusë masën për Kotajn, duke dhënë për të “detyrim paraqitjeje”.

Kotaj ka deklaruar se nuk ishte përgjegjësi e tij të bëjë përllogaritjet e dënimeve, por e zyrës juridike. Por prokuroria gjatë hetimeve ka faktuar se ai së bashku me juristin e burgut Teodor Labi, i biri i ish – drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, i arrestuar për korrupsion, kanë llogaritur në mënyrë të kundërligjshme kohën e qëndrimit në burg të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha.

I dënuari Lulzim Berisha duhej të kryente të paktën edhe 2 vjet e 7 muaj burgim, para se të mund të përfitonte nga lirimi me kusht. Atij i kishin mbetur edhe 5 vjet burg për të bërë./tvklan.al