Dy ditë pas arrestimit spektakolar nga policia të Ersid Hasanllarit, kryeinspektorit të Mjedisit në Vlorë pasi goditi me grusht vartësin e tij, Prokuroria e Vlorës kërkon në gjykatë lirimin e tij.

28-vjeçari sipas organit të hetimit, duhet t’i caktohet masa e sigurisë detyrim paraqitje si dhe të pezullohet nga detyra. Të dyja masat janë miratuar nga togat e zeza. Sipas policisë së Vlorës, Hasanllari fillimisht e ka ofenduar në telefon vartësin e tij me pretendimin se pse i kishte vënë gjobë një subjekti privat.

Më pas kur janë takuar e ka goditur me grusht, siç tregojnë pamjet e shpërndara nga policia. Por për Prokurorinë, vepra penale për të cilën akuzohet 28-vjeçari mund të hetohet në gjendje të lirë dhe nuk është e nevojshme mbajtja e tij pas hekurave, ndonëse aksioni për arrestimin e  tij i përngjau një operacioni për kapjen e ndonjë të shumëkërkuari.  TV KLAN