Elvis Rroshi ka qëndruar vetëm 3 ditë në dhomat e shoqërimit të policisë së kryeqytetit.

Që nga dita e sotme është kthyer në Kavajë me një masë tjetër sigurie, atë të  arrestit në shtëpi.

Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua me dyer të mbyllura seanca për vlerësimin e masës së sigurisë, me kryesues gjyqtarin Dritan Caka, pa praninë e të pandehurit Elvis Rroshi, ku u vendos ndryshimi i masës së sigurisë. Avokatët mbrojtës thanë se do ta apelojnë edhe këtë masë.

“Ka një vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie. Përsëri ne i qëndrojmë mendimit se edhe ky vendim është i paligjshëm. Nuk ka vend për masë sigurimi në rastin konkret, megjithatë do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor. ”

Shumë persona, familjarë, punonjës të bashkisë dhe qytetarë të Kavajës kanë pritur jashtë ambienteve të gjykatës vendimin. Për arsye sigurie, policia kishte sjellë dhe disa efektivë civil të njësisë operacionale.

Rroshi u arrestua me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të gjykatës për falsifikim të vulave e formularëve, pasi në formularin e vetëdeklarimit nuk kishte shënuar se kishte qenë i dënuar në Itali. Avokatët e tij thanë se ai nuk kishte qenë në dijeni të këtij fakti kur kishte bërë vetëdeklarimin.

Tv Klan