Ekonomia e SHBA-ve është më e madhja në botë. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Botërore, ekonomia e SHBA-ve, me vëllim total prej 18 trilionë dollarësh, përfaqëson një të katërtën e ekonomisë së botës (24. 3 %).

Kina është në vendin e dytë me 11 trilionë dollarë, ose 14.8 % të ekonomisë botërore. Japonia është në vendin e tretë me 4.4 trilion dollarë, që përfaqëson 6 % të ekonomisë globale.

Vendet evropiane zënë tre vendet e tjera, respektivisht me Gjermaninë në vendin e katërt  me 3.3 trilion dollarë, Britania e Madhe në të pestin me 2.9 trilion dollarë dhe Franca në të gjashtin me 2.4 trilion dollarë.

India ndjek më pas më 2 trilion dollarë dhe Italia me 1.8 trilion dollarë. Në vendin e nëntë renditet Brazili me 1.8 trilion dollarë dhe Kanadaja në të 10-tin me 1.5 trilion dollarë.

Ekonomia e SHBA-ve është më e madhe se ekonomia e të gjithë vendeve nga i treti në të dhjetin së bashku.

Ekonomia me rritjen më të shpejtë

Mirëpo, SHBA-të mund të mos dominojnë për shumë gjatë.

Megjithëse Kina është rreth 7 trilionë pas SHBA-ve, ekonomia e saj u rrit me 6.7 % në vit në 2016-ën, krahasuar me 1.6 për qind që u rrit ajo amerikane.

Ekonomia braziliane ndërkohë është tkurrur me 3.5 % në vitin e fundit.

Në grafikun e më poshtëm mund të shikoni 40 ekonomitë më të mëdha të botës, të grupuara në kontinente sipas ngjyrave.

Blloku aziatik qartësisht zë pjesën më të madhe, duke përfaqësuar më shumë se një të tretën e ekonomisë globale (33.84 për qind). Amerika e Veriut përfaqëson 27.95 % të ekonomisë globale ndërsa Europa 21.37 për qind.

Këto tre kontinente gjenerojnë 83.16 të ekonomisë globale.

Ekonomitë më të mëdha në botë në vitin 2050

Një studim i ri nga “PricewaterhouseCooper” thotë se Kina do të jetë ekonomia më e madhe në botë duke nisur që nga viti 2030, pasi ekonomitë në zhvillim do të vazhdojnë të rriten më shumë se sa ato të zhvilluarat.

India do të renditet e dyta në 2050, ndërsa SHBA-të në vendin e tretë. Indonezia do të ngjitet në vendin e katërt.

Britani e Madhe do të jetë në vendin e 10-të në 2050-ën, Franca mund të jetë jashtë 10-shes, ndërsa Italia jashtë 20-shes, duke u parakaluar nga ekonomi në rritje si Meksika, Turqia dhe Vietnami.

Raporti po ashtu thotë se vëllimi i ekonomisë botërore mund të dyfishohet deri në vitin 2050, falë teknologjisë së përdorur në prodhim. /tvklan.al