Europa League nis më herët për skuadrat shqiptare, që dorëzuan listat e lojtarëve në UEFA ku shikohen disa ndryshime.

Tirana afroi Yunus Sentamun, sulmuesin e përfaqësueses së Ugandës. 22-vjeçari duket se do të zëvendësojë Edeh.

Një tjetër i huaj është Wellyson Luiz de Oliveira Sobrau.

Mesfushori është një njohje e trajnerit Ze Maria, pasi ishin pjesë e Ceahlaul në kampionatin rumun gjatë sezonit 2014-2015. Në listën e bardhebluve ka disa lojtarë të rinj të formuar tek akademia.

Me Partizanin nuk janë më Agustin Torassa dhe Caleb Ekuban, ndërsa shfaqet në sulm një emër i ri, Moustapha Enock Djidjiwa. 21-vjeçari nga Kameruni është aktivizuar me përfaqësueset e moshave në vendin e tij.

Përforcimet e tjera Gehard Progni e Blerim Kotobelli janë pjesë e lojtarëve të cilët do të luajnë në Europë.

Te Skënderbeu është Afrim Taku, i larguar nga Tirana. Për kupat e Europës ekipi korçar do të ketë edhe Liridon Latifin, ndërsa Donjet Shkodra dhe Bruno Dita vlerësohen si përforcime të vlefshëm. Skënderbeu ruajti grupin duke patur edhe disa rinovime, i fundit Kristi Vangjeli.

Ndeshjet e para do të luhen më 29 qershor, ndërsa ato të kthimit më 6 korrik./Tv Klan