llallaProkurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka firmosur gjatë ditës së sotme largimin nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda të zotit Eugen Beci, dhe komandimin e tij në krye të Prokurorisë së Elbasanit.

Beci do të zëvendësohet si i komanduar nga drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Adnan Xholi. Largimi i z. Beci vjen vetëm një ditë pasi kryeprokurori Llalla pati një takim me kryeministrin Rama në zyrën e këtij të fundit, takim në të cilin ndodhej edhe kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri.

Po dje, vetë Lalla urdhëroi Prokurorinë e Krimeve të Rënda për nisjen e hetimeve kryesisht rreth akuzave të deputetit Tom Doshi, për tentativë vrasjeje të tij, tentativë që sipas vetë Doshit do bëhej me urdhër të kreut të Parlamentit Ilir Meta.

Gjatë dy viteve të drejtimit të prokurorisë së krimeve nga ana e Becit, janë nisur dhe zbardhur një sërë çështjesh penale si ajo e imameve ilegale që rekrutonin luftëtarë të organizatave terroriste në Siri, banda e kokainës së fabrikes së Xibrakës, banda e tritol – vënësëve në zonën e Durrësit dhe Krujës, zbërthimi i krimeve të killerit me pagesë Julian Sinanaj dhe bashkpunëtorët e tij, etj.

Punë për të cilat Beci ka marrë edhe mbështetjen dhe përgëzimet e vetë Llallës kohë më parë.

Tv Klan