Mesfushori i Barcelonës, Arda Turan, është përjashtuar nga Kombëtarja turke pas sulmit ndaj një gazetari në avionin që po udhëtonte me ekipin.

Të hënën Turan sulmoi verbalisht dhe fizikisht gazetarin sportiv Bilal Mese, i cili vitin e kaluar kishte shkruar se dështimi i Turqisë në Europian kishte të bënte edhe me klanet brenda Kombëtares turke sidhe me mosmarrëveshjet mes lojtarëve për ndarjen e shpërblimeve të federatës.

Mese u zotua se do ta padisë në gjykatë lojtarin e Barcelonës dhe për këtë do të dilnin dëshmitarë rreth 15 gazetarë që ishin në avion.

Më kapi nga fyti. Më shau dhe më gjuajti edhe me grusht por si pasojë e ndërhyrjes së një tjetër personi, i shkoi huq”,

tha Mese, i cituar nga “Hurriyet”.

Jam gati të paguaj çmimin për çfarë kam bërë në jetë dhe do ta bëj. Po bëj gjithçka është e nevojshme dhe po i jap fund karrierës time tek skuadra Kombëtare”

, tha 30-vjeçari Turan në Slloveni, ku Turqia po përgatitej para ndeshjes me Kosovën të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2018.

“A jam i penduar? Jo nuk jam, ndihem i lehtësuar,” tha ai në një konferencë për gazetarët, e cila u braktis nga shumica e tyre. Arda foli vetëm para kamerave në sallën e medias që u boshatis në shenjë proteste.

Pavarësisht se Turan e njoftoi vetë pensionimin nga futbolli ndërkombëtar, ai është përjashtuar nga trajneri Fatih Terim, me të cilin nuk i ka pasur marrëdhëniet e mira që pas Europianit.

Trajneri i Kombëtares turke tha se ishte shumë i hidhëruar nga ngjarja. “

Në mëngjes kur e mësova ngjarjen me detaje bëmë një mbledhje dhe morëm një vendim (largimin nga Kombëtarja)

”.

Turan, i cili e nisi karrierën e tij me Gallatasarajin, kaloi tek Atletiko Madrid dhe më pas tek Barcelona në vitin 2015 për 34 milionë euro, duke u kthyer në futbollistin turk më të vlefshëm të të gjitha kohërave.

Ai luan me Kombëtaren që prej vitit 2006, kur ishte 19 vjeç. Turan shënoi 16 gola dhe dha 25 asiste në 97 ndeshje./tvklan.al