Në sesionin e parë parlamentar si kryetare e LSI, Monika Kryemadhi premton një opozitë të fortë, por konstruktive dhe me alternativa.

“Grupi parlamentar i LSI-së do të jetë jashtëzakonisht aktiv me iniciativa me nisma ligjore që do të jenë jo vetëm në shërbim të qytetarëve, por do t’i shërbejnë dhe qeverisë shqiptare, e cila me skemën e re të paraqitur nga Kryeministri, kemi një qeveri të vogël dhe jemi të bindur që do të ketë një korrupsion të madh. Lufta e LSI-së do të jetë jo vetëm frontale, por edhe konstruktive në parlament me alternativat e saj, jo vetëm duke evidentuar problematikat, por duke ofruar edhe zgjidhje për problemet”.

Kryemadhi kërkon dhe nga deputetet e maxhorancës së re të vendosin interesat e votuesve përpara atyre të kryeministrit.

“Ne shpresojmë që të gjithë deputetët e PS-së shumë shpejt të ndërgjegjësohen se Shqipëria vjen e para, pastaj qeveria dhe Kryeministri”.

13 vjet më parë, Ilir Meta dhe një grup deputetësh u ndanë nga Partia Socialiste për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Me rastin e këtij pervjetori, u zhvilluan aktivitete të ndryshme sociale, siç ishte dhe ai ku mori pjesë kryetarja Kryemadhi dhe ku u mbollën pemë të reja në zonën e fushës së ish-aviacionit.  

Tv Klan