Pasi dëgjoi rrëfimin e Blerim Çelës, koordinator i LSI-së në Fushë Krujë, i cili u dhunua me sende të forta dhe u kërcënua nga persona të paidentifikuar, ish-kreu i LSI-së Ilir Meta tha se përgjegjëse për këtë është policia dhe vetë Drejtori i Përgjithshëm, Haki Çako.

Në reagimin zyrtar, policia thotë se 40-vjeçari Çela u konfliktua me disa persona në një lokal, por nuk jep motivet e përplasjes.

Por nënkryetari i LSI-së Luan Rama kërkoi zyrtarisht shkarkimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Çako dhe disa drejtorëve në qarqe, pas rasteve të përsëritura të dhunës sipas tij ndaj disa përfaqësuesve të LSI-së.

Rama denoncoi edhe rastin e dhunimit dhe kërcënimit të kryetares së LSI-së dhe kryetares së LRI-së së Pukës nga persona të identifikuar pranë Partisë Socialiste.

Por në një reagim të saj Policia e Shtetit thotë se ndaloi një automjet me xhama të errët pas informacioneve që qarkullonin se ofroheshin lekë në këmbim të votës.

Policia thotë se drejtuesit i është kërkuar dokumentacioni dhe dy zonjat që e shoqëronin janë prezantuar si kandidate për deputete. Sipas policisë ato janë lënë të lira, por duke qenë se njëra shfaqi gjendje të fikëti është shoqëruar për në spital. Në dëshminë e dhënë ato kanë deklaruar se janë kërcënuar për motive politike dhe për këtë policia thotë shoqëroi dhe pyeti disa persona.

Tv Klan

***

Dhunën ndaj mbështetësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka dënuar ashpër edhe Nënkryetari i kësaj force politike, Luan Rama. Në një dalje urgjente për mediat, Rama kërkoi nga Ministria e Brendshme dhe Kryeministrit shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe të disa drejtuesve të policisë në disa komisariate si ai i Pukës e Fushë Krujës.

“Këto janë akte të shëmtuara dhune ndaj mbështetësve të LSI. Ditën e sotme persona të armatosur goditën Blerim Çelën me levë në Fushë Krujë, ndërsa policia aty afër nuk ndërhyri. Burra cuba të Rilindjes kanë dhunuar dhe sulmuar dy femra në Pukë. Në njoftimet që na vijnë nga struktura tona të monitorimit nga Shkodra për Pukën dhe nga Durrësi për Fushë – Krujën rezultojnë të identifikuar persona konkretë. Për të gjitha këto raste ne kemi njoftuar strukturat përkatëse. Këto raste dëshmojnë edhe njëherë sa e inkriminuar është një pjesë e struktuarve të policisë, ndaj kërkojmë shkarkimin e mënjehershëm të Drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Shefit të Komisariatit të Policisë në Pukë, Shefit të Komisariatit të Policisë në Berat dhe Drejtorit të Policisë së qarkut Berat, Shefit të Komisariatit të Policisë në Lezhë dhe Fushë Krujë. Në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë, përballë këtyre rasteve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë, përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. 

Jemi të detyruar të mbrojmë votën dhe veten pa i kapërcyer kufijtë ligjorë. Socialistët të ndahen nga rastet e dhunës”./

tvklan.al