Edhe pse njëri aleat në qeverisje dhe tjetri aleat në opozitë, Luan Rama dhe Fatmir Mediu, të dy i vlerësojnë njësoj deklarata që ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel bëri në Tiranë, teksa e quajti të pakuptueshme kërkesën për qeveri teknike dhe absurd bojkotin e parlamentit. Kryetari i grupit parlamentar të LSI dhe kryetari i PR flasin për qëndrime të njëanshme që nuk i shërbejnë situatës.

“Qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe konstruktive. Çdo njëanshmëri nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës. Problemi është krijuar këtu, problemi është krijuar për shkak të papërgjegjshmërisë politike të shqiptarëve dhe zgjidhja duhet të vijë nga dominimi i arsyes dhe i vetëdijes që interesat e vendit janë prioritare dhe për t’u shmangur edhe një herë e theksoj marrëzisë”.

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe PR u bënë thirrje palëve për dialog. Dhe për LSI kjo çështje duket me e rëndësishme edhe se fati i koalicionit, për të cilin do të duhet të vendose brenda ditës së nesërme kur skadon afati i regjistrimit të koalicioneve ne KQZ

Kryetari i grupit parlamentar të LSI u pyet edhe për zgjedhjen e presidentit dhe emrin e Fatos Nanos si kandidat i mundshëm, por i evitoi komentet.

Tv Klan

 

 

///

Lëvizja Socialiste për Integrim ka paraqitur sot emrat e saj për anëtarët e komisioneve ad hoc për procesin e Vetting -ut. Në një dalje për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të kësaj force politike, Luan Rama tha se LSI do t’i propozojë parlamentit emrat e Luan Ramës dhe Silva Caku për komisionin e parë, atë me 12 anëtarë. Ndërsa për komisionin tjetër me 6 anëtarë, LSI do të propozojë emrin e Vangjel Tavo.

Rama apeloi që të gjithë aktorët politikë të bëhen pjesë e këtij procesi.

“Dua të ritheksoj rëndësinë e madhe që merr dialogu politik për kapërcimin e kësaj situate, për të realizuar Reformën Zgjedhore dhe atë në Drejtësi, që janë të bllokuara”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, ai theksoi detyrimin e politikës e mbi të gjitha mazhorancës për dialogun me opozitën dhe përfshirjen e saj në zgjedhje. Rama tha se politika duhet t’i largohet marrëzisë dhe të thërrasë arsyes për të realizuar zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI komentoi edhe deklaratat e Ministrit të Jashtëm gjerman duke thënë se qëndrimet e ndërkombëtarëve janë të dobishme për aq sa janë të balancuara dhe jo të njëanshme.

Sa i përket kandidaturës së presidentit, Rama ritheksoi edhe njëherë se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi publik i kreut të LSI, Ilir Meta.

Nuk kam çfarë të shkoj për çështjen e presidentit nga sa ka mbajtur qëndrimin publik kreu i LSI pas takimit me kreun e PS. 

LSI e bëri të qartë qëndrimin e tryezës së asaj dite të takimit PS – LSI duke nënvizuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes edhe të opozitës”.

/tvklan.al