Lëvizja Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje të shtunën ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë, Donald Lu e Romana Vlahutin të mos heshtin dhe të shpejtojnë Vettingun.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u kujtoi ambasadorëve ata ishin garantë të pavarësisë së plotë të Vettingut.

“Lu dhe Vlahutin, mos heshtni dhe shpëtojeni Vettingun.

Për shkak të frikës së shkollëpakut nga Vettingu qeveria e tij e vogël futi duart e mëdha te Vettingu.

Qeveria tashmë i kontrollon strukturat e Vettingut, u jep personel dhe para aq sa do ajo’ dhe me anë të Ministrisë së Drejtësisë u administron investimet dhe informacionet, pra u kontrollon gjithçka.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin ishin garantët e pavarësisë së plotë dhe të pakushtëzuar të Vettingut.

Si anëtar i komisionit të Reformës në Drejtësi, personalisht e votova Vettingun në atë kohë (kujtoj që vota ime bënte diferencën) vetëm pasi besova totalisht garancitë e plota që dy ambasadorët e nderuar Lu dhe Vlahutin që përfaqësojnë SHBA dhe BE më dhanë edhe mua personalisht.

Të nderuar Lu dhe Vlahutin, votimi i fundit i dhunshëm i maxhorancës në parlament për strukturat e Vettingut :

  1. Është falimentimi i një ideje pozitive,

  2. Është perëndimi i një shprese të fundit për një drejtësi të pavarur dhe me integritet,

  3. Është pushtimi prej qeverisë i mundësisë së fundit për ringritjen e shtetit të së drejtës.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin në kohën e miratimit të kësaj reforme

  1. Garantuan publikisht se Reforma në Drejtësi ishte një produkt i përbashkët edhe i SHBA dhe BE, e ku Vettingu ishte zemra e procesit.

  2. Garantuan gjithashtu se qeveria s’kishte të drejtë të propozonte reformën, por Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni i Posaçëm.

  3. Garantuan gjithashtu qe Ministria e Drejtësisë nuk do të kishte asnjë rol sepse organet e reja do të ishin krejt të pavarura në vendimet e tyre, por edhe ne administrimin e tyre.

  4. Garantuan që qeveria do të paguante të gjithë kostot financiare pa ndërhyrë në këtë proces.

Ka vetëm një shpresë të fundit për të shpëtuar asgjësimin përfundimtar të Vettingut.

Lu dhe Vlahutin kanë sërish në duart e tyre një mundësi të fundit që ta shpëtojnë Vettingun, që zemra e reformës në drejtësi të mos pushojë ende pa filluar mirë dhe që Shqiptarët të mos zhgënjehen përfundimisht.

Le t’i kerkojnë maxhorances t’i anulojë vendimet e fundit të marra në kuvend me 73 vota duke asgjësuar të gjitha garancitë që vetë ambasadorët u dhanë të gjithë shqiptarëve në korrikun e 2016.

Në të kundert do të thotë se gjithçka ishte një demagogji, farsë dhe riciklim i të njëjtës drejtesi të kapur e të korruptuar si dhe që këtë fat të Vettingut do te ketë edhe SPAK-u etj organe të drejtesisë.”

/tvklan.al