Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka zhvilluar mbrëmjen e së hënës një mbledhje me dyer të mbyllura. Pas përfundimit të saj, në një deklaratë për mediat, kreu i LSI, Ilir Meta tha se Kryesia, pasi analizoi me përgjegjësi të lartë situatën aktuale politike për krizën dhe zgjedhjet, vlerëson se situata është tejet e tensionuar, Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi janë të bllokuara. Në këto kushte, kreu i LSI deklaroi se Kryesia ka vendosur vënien në dispozicion të mandateve të saj politike.

“Retorika agresive po dominon zhvillimet, në këto kushte është i nevojshëm dialogu urgjent. Çdo vonëse e çon vendin në drejtime të panjohura, të pakontrolluara dhe me pasoja. Vlerësojmë së Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfiktuale. Vlerësojmë iniciativën e Idrizit si një përpjekje konkrete për dialog dhe për zgjidhjen e krizës. LSI deklaron se vendi ka nevojë për një qeveri të besimit për zgjedhje që do të garantojnë mospërfshirjen e administratës, në veçanti policisë së shtetit dhe çdo përpjekje për veprime kriminale, si dhe garantimin e procesin të dekriminalizimit. Realizimi i Reformës Zgjedhore është një kusht dhe një detyrim i papërmbushur, si një garanci për realizimin e zgjedhjeve me standard dhe me kushte të barabarta për të gjitha partitë. Duke vlerësuar sa më lart, LSI vendos të verë në dispozicionin të zgjidhjes politike të gjitha mandatet e saj politike, që nga kryetari i Kuvendit, ministrat dhe postet politike të saj. Vlerësojmë iniciativën e Idrizit për dialog”.

“Nëse PD mendon se këto mandate janë të mjaftueshem që ajo të ketë një rol më ndikues në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve për aq sa mund të ketë qeveria, ne do t’ia jepnim opozitës. Në kushtet e mosbesimit të thellë, ndoshta kjo do të ishte një mënyrë për qetësuar dhe krijuar sadopak besim”

, sqaroi Meta.

Ndërsa duke folur për vazhdimin e koalicionit me Partinë Socialiste, Meta tha se LSI është e hapur për vijimin e këtij koalicioni, nëse PS do të tregohet disi më e përgjegjshme për të zgjidhur situatën politike në vend. Kreu i LSI i konsideroi zgjedhjet pa opozitën një farsë dhe tha se partia që ai drejton nuk do të bëhet pjesë e saj.

“Sa i përket koalicionit, LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme politike me Partinë Socialiste, bazuar me arritjet e deritanishme. Por nëse lidershipi i PS nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale për garantimin e zgjedhjeve dhe dhënien e garancive për opozitën që ajo të jetë pjesë e zgjedhjeve, LSI nuk mund të jetë pjesë  e kësaj farse. LSI është e qartë që midis të majtës dhe të djathtës zgjedh të majtën, midis zgjedhjeve demokratike dhe farsës elektorale, zgjedh zgjedhjet demokratike….”

.

Më tej, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Meta tha se retorika agresive e drejtuesve të qeverisë në raport me zgjedhjet është e papranueshme.

“Garancia e parë është ndryshimi i retorikës të drejtuesve të qeverisë. Nëse opozitës mund t’ia pranojmë apo tolerojmë retorikën e papërgjegjshme, sa i përket qeverisë dhe drejtusëve të saj, në këtë drejtim, në raport me zgjedhjet është e papranueshme”.

Meta theksoi se Kryesia vendosi ta bëjë publik sot qëndrimin e saj që të gjendet një zgjidhje sa më parë dhe situata të mos shkojë në zgjidhje ekstreme.

“Ne shpresojmë dhe jemi në kohë. Kemi këtë qëndrim sot dhe e bëjnë publik sot, sepse nuk duhet që të shtyhet, çdolloj zgjidhje në afate ekstreme. Ne besojmë se duhet të nxjerrim të gjithë mësime në atë që ka ndodhur më parë në vendin tonë dhe t’i japin një zgjidhje situatës, që t’i japim qetësi shqiptarëve, bisznesit, partnerëve, që vendi të jetë më demokratik. 

Nuk dua të paragjykoj. Besoj se të gjithë e duan këtë vend dhe demokracinë, por çështja e zgjedhjeve i takon të gjithë shqiptarëve dhe për këtë duhet të bëjmë gjithçka”.

Meta e vlerësoi absurde të folurit për reforma të tjera kur nuk bëhet më minimalja, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

/

tvklan.al