lu-voa1Shtetet e Bashkuara presin që ligji i Dekriminalizimit të nxjerrë jashtë politikës shqiptare, të tjerë emra të lidhur me krimin.

Në një intervistë për seksionin Shqip të “Zërit të Amerikës”, Ambasadori amerikan, Donald Lu, përmendi dorëheqjet e Mark Frrokut dhe Arben Ndokës dhe tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë në të tjera largime nga radhët e politikës.

Donald Lu – Ambasador i SHBA në Tiranë:

“Shpresojmë shumë që, si rrjedhojë e ligjit për Dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Në një vend normal, në një demokraci normale, asnjë kriminel nuk dëshiron të jetë në politikë. Këtë duam ne që të ndodhë në Shqipëri, pra që kriminelët të thonë: do t’i bëja dëm punëve të mia, po të futesha në politikë”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, Ambasadori amerikan tha se, pas punës së ekspertëve është detyrë e politikës të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

Donald Lu – Ambasador i SHBA në Tiranë:

“Ekspertët kanë bërë një punë fantastike – ekspertët e nivelit të lartë, ekspertët e opozitës dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë. Por tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria”.

Diplomati amerikan tha se veç Reformës në Drejtësi, Shtetet e Bashkuara kanë si prioritet mbështetjen për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI -në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit.

Tv Klan