Më një gjuhë më të ashpër se herë të tjera, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, u shfaq sërish i alarmuar për lidhjet e krimit me politikën në Shqipëri.

Ai tha se situata është e rëndë pasi kriminelet kanë lidhje me personat me influencë dhe për të ilustruar këtë përdori edhe një herë Emiljano Shullazin.

Ambasadori amerikan, Donald Lu:

Në Shqipëri ka kriminelë të fuqishëm që kanë lidhje politike, ndonëse kanë kryer krime. Një nga këto raste është ai i trafikantit Emiljano Shullazi, i arrestuar kohët e fundit, i cili prej shumë vitesh është akuzuar për vrasje dhe trafik droge. Shqipëria ka nivelin më të ulët të gjykimit të krimeve të rënda në Evropë dhe problemi është pandëshkueshmëria. Bosë të fuqishëm të krimit mund ta largohen edhe pse akuzohen për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me influencë”.

Në një konferencë mbi luftën kundër krimit te organizuar, ambasadori Lu tha se Shqipëria aktuale ngjan me Amerikën e viteve 20, ku Al Capone kishte lidhje thuajse në të gjitha organet ligj-zbatuese.

Por problemet me krimin që ka depërtuar në politike, krimin e organizuar dhe me korrupsionin , tha ai – mund të zgjidhen nga reforma në drejtësi.

Ambasadori amerikan, Donald Lu:

Situata në Shqipëri është e rëndë, por unë besoj se reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandërshkueshmërisë së lidhjes së krimit me politikën. Shqiptarët janë ngopur me kriminelet e lidhur me politiken. Përpjekjet e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës dhe përdhunuesit nga parlamenti dhe qeverisja vendore do të kenë një efekt afat gjatë në uljen e pandëshkueshmërisë e bosëve të krimit të organizuar në Shqipëri.

Donald Lu shprehu besimin se organet e hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të administratës dhe qeverisjes vendore, do të ulin lidhjet e krimit me politikën. /TV KLAN