Ky është fluturimi i dytë monitorues që bëhet nga policia për këtë vit. Tv Klan pa nga afër operacionin e policisë për kontrollin e atyre parcelave që një vit më parë ishin të mbuluara me bimë narkotike.

Një prej këtyre zonave është ajo Urës së Poçemit në Vlorë, ku vitin e kaluar, policia gjeti dhe sekuestroi sasi rekord të bimëve narkotike.

Pas krahëve të mi janë disa kapanone që përdoreshin vitin e kaluar nga një grup trafikantësh për kultivimin e kanabisit. Këtu policia gjeti 40 mijë rrënjë kanabis. Kultivuesit kishin ndërtuar edhe një infrastrukture përkatëse për kultivimin tharjen e mbartjen e kanabisit. Kjo zonë është një nga ato që do të vijojnë të mbahen në monitorim nga policia.

Drejtori i policisë së Vlorës thotë se zonat në të cilat vitin e kaluar jane përdorur për kultivim do të rikontrollohen me imtësi.

Jemi në komunën e Vllahinës e njohur si zonë me risk dhe që po rikontrollohet. Bazuar në planin e veprimit të miratuar nga Ministria e Brendshme dhe plani i masave të policisë se shtetit.

Por veç parcelave të vjetra, policia dyshon se trafikantët mund të përdorin zona të reja.

Krahas kontrolleve që po kryhen në ato zona ku janë mbjellë më parë, policia po punon për të marrë informacione për zona të përdorura vitin e kaluar, dhe për zona të reja që mund të përdoren për kultivim.

Kontrollet ne terren janë shtuar. Por ndryshe nga një vit me parë, po punohet edhe për të mbajtur nën vëzhgim personat që dyshohet se kanë qenë të përfshirë ose mund të përfshihen në këtë aktivitet të paligjshëm.

Javën e kaluar, policia nisi një operacion te gjerë në mbarë vendin për identifikimin e zonave që mund të përdoren nga narkotrafikantet. Në operacion u angazhuan 3100 forca policie dhe vetëm në dy ditë në të gjithë vendin u kontrolluan mbi 7 mijë objekte.

Tv Klan