Nga Beogradi në Banja Lukë e Prishtinë politikanët flasin për luftë e shkëputje. Kuptohet menjëherë: kemi të bëjmë me politikanë, të cilëve po iu marrin fund argumentet për ruajtjen e pushtetit, mendon Frank Hofmann.

Për ambasadën amerikane në Sarajevë, Milorad Dodik është ndërkohë

persona non grata.

Presidenti i pjesës serbe të Bosnje-Hercegovinës flet prej vitesh për shkëputje të rajonit të drejtuar prej tij nga territori i përgjithshëm i Bosnjes. Vëmendja e diplomacisë amerikane duhet t’i ketë pëlqyer e me sa duket, ajo i ndihmon imazhin të tij si shpëtimtar i serbëve, imazh, të cilin ai do ta çimentojë përmes një referendumi.

Retorika do menduar deri në fund

Për të kuptuar se çfarë fshihet pas kësaj politike, duhen skicuar në mendje pasojat deri në fund. Nëse ky territor serb do të donte të shkëputej, nuk përjashtohen protestat e pakicave kroate dhe boshnjake në këtë rajon, gati gjysma e territorit të përgjithshëm të shtetit. Pasoja: trazira, me shumë gjasë të dhunshme, forca boshnjake të policisë, të cilat nuk do ta përballonin dot gjendjen. Si pasojë do të thirrej në ndihmë misioni ushtarak i BE-së, “Althea”, i stacionuar deri tani vetëm në aeroportin e Sarajevës. Ky duhej të sigurojë stabilitetin dhe të ndihmojë autoritetetet boshnjake për ta jetësuar këtë. Nëse këto nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, misioni ka mundësinë të dërgojë një trupë të shpejtë ndërhyrjeje, rreth 1200 ushtarë të NATO-s, që brenda pak ditësh mund të patrullonin në rrugët e Banja Lukës dhe të Sarajevës dhe të ndërhyjnë në rastin më esktrem edhe ushtarakisht.

Dodik në agoni politike

Me këtë do të merrte fund sovraniteti i udhëheqjes bosnjako-serbe në Banja Luka dhe lideri i serbëve boshnjakë me shumë gjasë do të merrte fund politikisht – sepse qeveria mike në kryeqytetin e Beogradit nuk mund ta mbështeste më nxitësin. Kryeministri serb ndjek një kurs proevropian. Por kjo nuk e bën politikën e Beogradit të mos flasë më për luftë. Tomislav Nikoliç është president i Serbisë dhe komandant i forcave të armatosura të vendit. Së fundmi ai kërcënoi, se do të dërgonte ushtrinë ruse në Mitrovicë, sepse pakica serbe atje ndjehet e kërcënuar. Më parë Beogradi kishte dërguar një tren me donacione ruse ku shiheshin mbishkrime në 20 gjuhë “Kosova është Serbi”- një provokim për Kosovën e dominuar 90% nga shqiptarët. Në gazetat e Beogradit flitet për shkëputjen e pjesës së dominuar nga serbët në veri të lumit Ibar. Edhe ky skenar këtu do të nënkuptonte dhunë. Retorika e presidentit kosovar para disa javësh, nuk ishte më pak marciale: Beogradi ndjek në Kosovë një politikë, si Moska në Krime, deklaroi Thaçi pa u trembur.

Kjo do të thoshte gjakderdhje në Kosovë

Nëse Beogradi do të përpiqej të shkëpuste pjesën veriore të Mitrovicës, demonstrues shqiptarë do të hynin menjëherë në enklavat e tjera serbe në kosovë. Aty ata do të ndesheshin me forca serbe të veshur civilë dhe sipas disa raportimeve të autoriteteve serbe që tani të pajisur me armë të lehta. Pasoja do të ishte gjakderdhje. Si pasojë NATO do të kërkonte përforcim të trupës së saj që të siguronte stabilitetin. Por nëse Beogradi do të dërgonte ushtrinë, kjo do të neutralizohej me forcën e NATO-s. Një luftë që nuk mund të fitohej.

Të gjithë këto skenarë lufte kanë të përbashkët kthimin mbrapa me së paku me dhjetë vjet të zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve. Me pasojën që këto shoqëri jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe politike do të vareshin më shumë nga fqinji i madh, Bashkimi Europian. Elitat që sundojnë tani me retorikë nacionaliste do të rrëzoheshin nga pushteti, dhe do të arrinin të kundërtën e asaj që synonin -sigurimin e pushtetit.

Elita politike jashtë kohe

Kështu replikat e forta në Ballkan aktualisht nuk janë më shumë se fraza boshe, jashtë kohe. Mbetje gjuhësore të një gjenerate politikanësh, të cilët i solli në pushtet procesi i shkatërrimit të Jugosllavisë në vitet 80-të. Shteti multietnik socialist pas më shumë se katër dekadash sundimi totalitar mori fund, ndërsa varrëmihësit nacionalistë të tij kanë mbijetuar deri më sot. Ka shumë mundësi që tani po merr fund edhe epoka e tyre. Ende ata përpiqen tani që me retorike jashtë realitetit të fshehin para elektoratit bilancin mizerabël politik në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies. Ende mungojnë alternativat politike -por kjo mund të ndryshojë.