Doli në konferencë për shtyp pas fitores me Gijon dhe njoftoi largimin e tij nga klubi. Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique i ka komunikuar mediave vendimin e tij.

Luis Enrique:

Nuk do të jem trajner i Barcelonës sezonin e ardhshëm. Para fillimit të këtij kampionati i komunikova drejtuesve të klubit se po mendoja largimin, por me thanë që ta mendoja edhe një herë. Arsyeja është mënyra si e mendoj unë këtë profesion. Me Barcelonën nuk kam shumë kohë të pushoj, të shkëputem, dhe në fund të këtij kampionati po mendoj të pushoj. Kjo është arsyeja kryesore.

Enrique ka falënderuar klubin për mundësinë e dhënë si futbollist dhe si trajner, por në sytë e tij tekniku nuk mundi të shprehe qetësinë e fjalëve që tha.

Media spanjolle prej ditësh kanë njoftuar mungesën e marrëdhënies mes tij dhe skuadrës, veçanërisht futbollistëve kryesorë.

Lionel Messi është përfolur si zëri më i fortë kundër trajnerit. Madje largimin e tij e kanë ilustruar me këtë karikaturë ku shihet Lionel Messi që dëbon trajnerin nga Camp Nou./ TV KLAN