Forcimi i bashkëpunimit Shqipëri-Luksemburg dhe plani i masave për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarë shqiptarë në vendet e BE-së ishin në fokus të bisedës së zv/ministres së Punëve të Brendshme, Rovena Voda me ambasadoren e Luksemburgut, Nadia Ernzer.

Në një takim të mbajtur ditën e marte, palët ranë dakord për të iniciuar një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, për shkëmbimin e informacionit për çështjet e migracionit dhe azilit.

Lidhur me çështjen e azilkërkuesve minorenë, zv/ministrja Voda informoi ambasadoren Ernzer se deklarata noteriale shoqëruese që do të plotësohet nga prindërit, do të përmbajë të dhëna të detajuara.

Ato do t’i dërgohen vendeve të interesuara, nëse do të ketë shkelje të afateve. Ajo theksoi se reforma në drejtësi pritet të përmirësojë aftësinë ndëshkuese të organeve ligjzbatuese edhe në kontekstin e këtij fenomeni.

Gjithashtu do të ketë një fushatë intensive për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, për të mos shkelur rregullat e lëvizjes në zonën Shengen.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme, Ambasadorja konfirmoi se Luksemburgu mbetet një ndër shtetet kryesore mbështetëse të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

/tvklan.al