Nuk është hera e parë që repertori i koreve të ndryshme në Evropë të përmbajë edhe muzikë shqiptare. Pas “Po vijn’ krushqit maleve” interpretuar nga zërat e Akademisë së Muzikës në Basel të Zvicrës, janë 70 liceistë gjermanë që prezantohen me “Lule Borë”.

Nxënësit e shkollës së “Heidenheim-it” dhe që njihen si “Kori i Ri i Muzikës së Dhomës”, gjenden në Tiranë për të dhënë një koncert, ku do të këndohet gjermanisht dhe shqip.   

Dyert për të sjellë muzikën e tyre ia hapën institucionet e besimit të krishterë, në Tiranë dhe Shkodër.

Bashkë me “Korin e Ri të Muzikës së Dhomës” do të këndojnë edhe liceistët e “Jordan Misja”. Këngët gjermane do të dirigjohen nga shqiptarja Mira Alliu ndërsa ato në shqip nga gjermani Thomas Kammel, në tre koncerte deri në 24 Qershor, në katedralen “Shën Pali” në Tiranë dhe më pas të “Shën Shtjefnit” në Shkodër.

Tv Klan