Emisioni “STOP” sjell edhe njëherë në vëmendje rastin e agjencisë së punësimit “Ande LM”, që mashtroi rreth 300 qytetarë duke iu marrë para në këmbim të punësimit me kontrata të rregullta në Kanada.

Pasi skema në fjalë rezultoi mashtruese, Lutfije Makashi dhe vajza e saj, Adeila u hetuan dhe Prokuroria kërkoi për të dyja 18 vjet heqje lirie.

Por paratë e zonjës Makashi, që mori me anë të mashtrimit, nuk janë gjurmuar dhe sot “viktimat” e saj kërkojnë  paratë e humbura.

 Luli Makashi ishte drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë private të Ndërmjetësimit dhe të Punësimit Ande – LM, që prej vitit 2005, ku çdo aplikant ka shpenzuar minimalisht 15 mijë dollarë, për të marrë një vizë pune në Kanada.

Qytetari 1: Deri tani kam paguar rreth 15 mijë dollarë.

Qytetari 2: Tek kjo zyrë ka ardhur një person që pretendon se ka blerë zyrën e Luli Makashit, Ande LM, por pa vulë, pa firmë, pa noteri.

Gazetari: Personi i parë që e ka patur është zhdukur, ku ka shkuar?

Qytetari 2: Personi i parë ka ikur, sot është e konfirmuar që ka hipur në Rinas, në avion.

Nënë e bijë i shitën biznesin për vetëm 1 euro ,bashkë me borxhe dhe detyrime, Klevis Rreshkës dhe më pas u larguan nga Shqipëria, duke zbrazur të gjitha llogaritë bankare të firmës e duke lënë aplikantët në mëshirë të fatit.

Gazetari: Në vendin e kujt jeni sot në këtë kompani?

Klevis Rreshka – 

Unë ligjërisht nuk jam në vendin e askujt sepse nuk njihem. Unë kam hyrë sot në mëngjes dhe thjesht më është thënë që është situata, thjesht duhet menaxhuar pak. Ok, kam thënë. Nuk e kam pas ditur se sa serioze është puna. Ligjërisht nuk njihem, as kontratë noteriale, as në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Prokuroria e Tiranës kërkoi 18 vite burg për nënë e bijë, Luli dhe Adeila Makashi , të cilat u akuzuan për mashtrim. Ato kanë mashtruar shumë persona me pretendimin se do t’i çonin në Kanada me viza pune e studimi.

Organi i akuzës ka kërkuar përkatësisht 10 vite burg për Lule Makashin dhe 8 vite burg për vajzën e saj, Adeila.

Nënë e bijë u arrestuan në Kanada, në Prill të vitit 2016, disa ditë pasi Policia e Tiranës zbuloi skemën mashtruese dhe arrestoi bashkëpunëtorin e tyre Klevis Rreshka.

Emisioni “STOP” i rikthehet kësaj çështjeje dhe i drejtohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi është zbuluar se kjo e fundit nuk i ka bashkuar çështjes fshehjen e pasurisë. Aplikantët e kanë fituar çështjen civile, pra e kanë çuar pranë Zyrës Përmbarimore, por nuk e ekzekutojnë dot, pasi llogaritë e Makashit janë të boshatisura.

Qytetarja 1 – Unë e kam çuar në një përmbarues privat. Përmbaruesi thotë që gjendja e bankave është zero. Janë sekuestruar 3 makina, që rezultojnë në emër të shoqërisë “Ande LM”, por çfarë mund të bëjmë ne me 3 makina, kur jemi mbi 360 veta?

Qytetarja 2 – Më lind pyetja si person, ku shkuan këto lekë? Si nuk i pa akush? Nuk dolën nga Shqipëria me çanta këto lekë! Ato janë marrë nga dikush dhe ne këtë kërkojmë sot!

Qytetarja 3 – Nuk na thirri Prokuroria fare dhe nuk u vumë në dijeni se çfarë u bë me çështjen. Unë i kam bërë një letër prokurorit Petrit Fusha dhe më ka kthyer përgjigje: ‘Çështja ka kaluar në gjykatë.’ Unë kërkoj nga gjykata të kthehet çështja për rihetim sepse ka jashtëzakonisht probleme të pakapura fare nga prokuroria.

Gazetari i emisionit “STOP” shprehet se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të niste një tjetër hetim për pasurinë e Makashit, që t’ju ktheheshin paratë të gjithë të mashtruarve nga agjencia e saj e punësimit. /

tvklan.al