Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbrëmë në një intervistë te “Ora News”, ka kërkuar falje për reklamat televizive që qeveria Berisha ka transmetuar gjatë qeverisjes së saj.

Është hera e parë që Basha i kërkon falje shqiptarëve për elementë të qeverisjes së zotit Berisha dhe e ka nisur pikërisht me reklamat.

Të njëjtën gjë bëri edhe Edi Rama, i cili e nisi qeverisjen duke paditur në Prokurori Lulzim Bashën, për reklamat sensibilizuese që Basha, si Ministër i Brendshëm, bëri për lëvizjen e lirë, pas heqjes së vizave për Shqipërinë.

Nuk u kuptua qartë nëse Basha kërkoi falje për reklamat e qeverisë Berisha, apo për reklamat e tij si Ministër i Brendshëm.

Por, ai u dha të drejtë mbrëmë sulmeve të shumta të ish – opozitës, që pati kritikuar fort qeverinë Berisha, se nëpërmjet reklamave televizive, Berisha fitoi zgjedhjet e vitit 2009.

Me ndjesën që kërkoi dhe duke pranuar publikisht se është bërë një gabim me reklamat, Lulzim Basha legjitimoi dhe padinë e bërë në Prokurori kundër tij, nga Ministri i Brendshëm, Saimir tahiri, padi e cila u rrëzua nga organi i akuzës, por që me qëndrimin e ri të Bashës, mund t’i rihapë hetimet.

Tv Klan