Presidenti i zgjedhur i Francës, Emmanuel Macron, ka nisur përgatitjet për zgjedhjet legjislative, ku do të formohet shumica e re parlamentare. Me të publikuar listën e 428 kandidatëve që do të garojnë për parlamentin e ri, një listë që u komentua jo pak në politikën franceze, Macron lidhi një marrëveshje me një tjetër forcë të qendrës, Mouvement Démocrate, të udhëhequr nga François Bayrou.

Ky i fundit pas takimit me shefin e ri të Elizesë, tha për mediat se dy partitë e qendrës kanë një ujdi qëndrueshmërie dhe ekuilibri. Ne shpresojmë që shumica e re parlamentare të jetë produkt i qendrës, tha Bayrou.

Qëndrimi i tij shënon një kthesë 180 gradë, pasi të enjten aleati i Macron e kishte cilësuar listën e kandidatëve të lëvizjes “République En Marche”, një riciklim të Partisë Socialiste, nisur nga fakti se 24 nga kandidatët janë deputetë të partisë në pushtet. Emmanuel Macron do të marrë zyrtarisht detyrën e presidentit të dielën. Më 11 dhe 18 qershor presidenti i ri do të përballet me provën e parë, zgjedhjet për parlamentin francez, ku aktualisht forca e tij nuk ka asnjë deputet.

 

Tv Klan