Emmanuel Macron është presidenti i ri i Francës. Kandidati i qëndrës fitoi bindshëm ndaj rivales Marine Le Pen të Frontit Nacional. Macron fitoi me 66.06% kundrejt 33.94% të Le Pen.

Lideri 39 – vjeçar i Lëvizjes En Marche! do të jetë presidenti më i ri në historinë e Francës. Me t’u shpallur rezultati në rrugët e Parisit filloi festa.

Me një votë plebishitare, francezët refuzuan alternativën e ekstremit të djathtë të përfaqësuar nga Marine Le Pen, e cila ishte pro daljes së vendit nga Bashkimi Europian dhe Eurozona, si edhe kundër pranimit të emigrantëve. Kandidatja e Frontit Nacional pranoi rezultatin.

Telefonova Macronin dhe e urova për fitoren dhe i uroj sukses në sfidat e mëdha që e presin

, tha Le Pen.

Pjesëmarrja në këto presidenciale ishte rreth 74%, më e ulëta në 50 vitet e fundit. Një tjetër rekord negativ ishte ai pavendosmërisë. Rreth 25% e elektoratit abstenuan, shifra më e lartë që prej vitit 1969.

Për zgjedhjen e Macron në krye të Elizesë festoi veçanërisht Brukseli. Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe ai i Këshillit të Europës Tusk u shprehën të gëzuar që francezët zgjodhën të ardhmen europiane. Presidentin e ri e uruan edhe Presidenti amerikan Donald Tramp, Kancelarja gjermane Merkel, si edhe Kryeministrja britanike May.

Zgjedhjet presidenciale në Francë u mbajtën në gjendje të jashtëzakonshme sigurie, që zgjat prej Nëntorit 2015, pas sulmeve terroriste në Paris. Më shumë se 50 mijë agjentë iu shtuan forcave policore dhe ushtarake të angazhuara në të gjithë vendin.

Tv Klan