Presidenti i Francës, Emmanuel Macron planifikon një ligj të ri imigrimi dhe azili. Fokusi kryesor është në radhë të parë dëbimi i azilkërkuesve të refuzuar. Kritikët e akuzojnë Macronin se ka tradhëtuar idealet e tij.

 Fitorja në zgjedhje e Emmanuel Macronit vitin e kaluar kundër Marine Le Pennit të Front National u konsiderua si fitore e humanizmit kundër armiqësisë ndaj të huajve. Por në çështjet e migrimit, Macroni tani po sillet më ashpër se ç’e kishin pritur shumë vetë.

Në vizitën e tij të martën në qytetin port të Francës veriore Calais, ku migrantët përpiqen që të hipin në tragetet për në Britaninë e Madhe, Macroni tha se në të ardhmen, kush do të kapet duke e bërë këtë, kundër tij shteti do të nisë “automatikisht” dëbimin. Presidenti lëshoi bubullima edhe kundër organizatave të migrantëve, të cilat sipas tij mbrojnë një kauzë të përbashkët me imigrantët ilegalë dhe përhapin mes tyre “informacione të gabuara”.

Kjo nuk ishte e para shprehje e Macronit, e cila të çon tek një linjë më e ashpër: “Asgjë nga ajo që bën qeveria nuk i vë pikëpyetje së drejtës së azilit”, tha Macroni javën e kaluar, “por azil nuk do të thotë që të pranosh pa dallim këdo”. Franca po përjeton aktualisht “valë migrimi të cilat nuk i ka përjetuar që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Presidenti dhe i përmendi vetë shifrat.

Sipas autoriteteve franceze, në vitin 2017 u paraqitën 100.000 kërkesa për azil, 17 përqind më shumë se një vit më parë, por prej tyre status refugjati mori vetëm një e treta. Ministri i Brendshëm, Gerard Collomb shtoi më vonë: “Po të qendronin të gjithë, ne duhet të ndërtonim çdo vit një qytet të ri të përmasave të mesme”. Në krahasim me Gjermaninë, ku në vitin 2017 erdhën 187.000 vetë, kjo megjithatë është shifër e vogël.

Presion i brendshëm

Macroni ndodhet nën presionin e një atmosfere kundër të huajve të përhapur në vend. Politikisht atë e mban gjallë edhe më tej Front National, por gjithnjë e më shumë për të kontribuojnë edhe republikanët konservatorë, në kryetarin e tyre të ri Laurent Wauquiez. Wauquiez kërkon ta kufizojë migrimin në një “minimum të rreptë”.

Për ta zgjidhur problemin, Macroni ka premtuar një ligj të ri imigrimi, i cili do të diskutohet muajin e ardhshëm në kabinet. Thelbi i tij: të gjithë azilkërkuesit duhet të trajtohen mirë – gjë që me sa duket nuk ka qenë e vetëkuptueshme deri tani – integrimi i atyre që e fitojnë azilin do të përmirësohet. Nga ana tjetër, të gjithë atyre që u refuzohet kërkesa për azil do të dëbohen në mënyrë shumë më konsekuente.

Ligji i ri i imigrimit dhe i azilit, me aq sa ka depërtuar deri tani në publik, thekson para së gjithash dëbimin dhe frikësimin. Kështu “njësi mobile” do të kontrollojnë qëllimisht strehimoret e azilkërkuesve në kërkim të personave pa dokumenta. Në vend të 120 ditëve, ata do të kenë në të ardhmen vetëm 90 ditë për t’ua paraqitur autoriteteve dokumentat e tyre. Për të konstatuar identitetin, personat do të mbahen në arrest në vend të 16 orëve tani, 24 orë në të ardhmen.

Zërat kritike ndaj kësaj politike po shtohen nga dita në ditë. Të martën Macronin e sulmoi në një letër të hapur të botuar në gazetën Le Monde, së bashku me kritikë të tjerë, edhe Jean Pisani-Ferry, deri pak kohë më parë njëri nga këshilltarët më me ndikim dhe më të ngushtë të Presidentit. Ai i kërkoi Macronit që “të respektojë idealet tona” dhe t’i japë fund një politike, që ka si synim që t’i mbajë larg Francës azilkërkuesit.

Përgjigja filozofike e Macronit në twitter: “Kur bëhet fjalë për temën e migrimit, atëherë nevojiten vendosmëri, efektivitet dhe humanizëm. Humanizëm pa efektivitet janë vetëm fjalë të bukura. Efektivitet pa humanizëm – kjo është padrejtësi”./DW