Qeveria spanjolle do të aktivizojë të shtunën nenin 155 të kushtetutës, për t’i hequr autonominë Katalonjës, çka i jep të drejtë ekzekutivit të vendosë mbi qeverisjen e rajonit. Vendimi i Madridit vjen pas skadimit këtë të enjte, të afatit të vendosur nga kryeministri Rajoy.

Zëdhënës i qeverisë, Inigo Mendes de Vigo, tha se “Do të vijojnë procedurat për aktivizimin e nenit 155 të Kushtetutës. Qeveria gjykon se presidenti katalanas Puigdemont nuk i është përgjigjur kërkesës së bërë për qartësimin e pozicionit. Të shtunën këshilli i ministrave do të mblidhet për të miratuar nenin 155.”

Me skadimin e ultimatumit të Madridit, tensioni sa vjen e rritet. Përmes një letre drejtuar kreut të qeverisë, Presidenti katalanas Carles Puigdemont i ka kërkuar kreut të qeverisë të mos aktivizojë nenin 155, pasi në të kundërt ai do të shpallë pavarësinë.

Heqja e autonomisë pritet të ngjallë protesta masive në qytetet katalanase. E fundit ishte ajo e së martës në mbrëmje ku më shumë se 200 mijë qytetarë dolën në shesh të protestonin për arrestimin e dy aktivistëve pro-pavarësisë.

Nëse Madridi zyrtar aktivizon nenin 155, kjo do të ishte hera e parë që qeveria qendrore spanjolle i heqtë drejtën e autonomisë një rajoni./Tv Klan