Mafia shqiptare ka gjetur një rrugë të re për trafikimin e emigrantëve në Britani, duke përdorur një port tejet të frekuentuar spanjoll. Të dhënat vijnë nga një hetim i kryer nga gazeta britanike “Sunday People”.

Gangsterët marrim mbi 2500 paund për person dhe po ia dalin që të trafikojnë ata që janë të dëshpëruar për një jetë të re, përfshirë refugjatë nga Ballkani, Iraku, Afganistani e Siria. Ata përdorin tragete për të transportuar këta emigrantë nga Bilbao.

Në shkrimin e saj, gazeta britanike thotë se policia në qytetin verior të Spanjës po has vështirësi në menaxhimin e emigrantëve të shumtë që kanë zbarkuar përgjatë 3 muajve të fundit.

Në 2 vite, ka patur një rritje me dhjetëfish të personave që përpiqen të futen në kamionë apo kontenierë në port. Por sipas ligjit spanjoll, ata kryejnë vetëm një vepër civile, ndaj policia merr vetëm të dhënat e tyre dhe më pas i lë të lirë.

Me qindra të tjerë, të cilët qëndrojnë nëpër kamp në pritje për të shkuar diku tjetër, nuk mund të preken, për shkak se janë të pajisur me viza turistike.

Hetimi i “Sunday People” zbuloi se pasi u dorëzojnë shumën e majme bosëve të mafies, emigrantëve u jepet një telefon dhe një shifër prej 700 paundësh në dorë, në mënyrë që t’ia japin trafikantëve që do të merren me shpërndarjen e tyre në Britani.

Të gënjyer me premtimin për punë të jashtëligjshme në Londër, në lavazhe apo ndërtim, ata janë të pavetëdijshëm që do të përfundojnë në mëshirën e bandave.

Teksa mbërritën në Bilbao, hetuesit e gazetës gjetën më shumë se 100 persona në tenda dhe poshtë urave të autostradave, në afërsi të perimetrit të portit.

Gazetarët britanike biseduan me një të ri shqiptar nga Peshkopia, i cili qëndronte sëbashku me nipin e tij dhe dy të tjerë në një çadër dy vendëshe.

Ismaili, 29 – vjeç, duke folur me gazetarët e “Sunday People” tha:

“Doja të shkoja në Angli në mënyrë të ligjshme, por është e pamundur. Tani më duhet të shkoj ilegalisht”.

“E di që ka njerëz të cilët mund t’i paguash, por unë nuk kam para. Më duhet ta provoj që të shkoj atje pa para, duke trafikuar veten

“, rrëfeu më tej i riu shqiptar.

Në 2015 -ën, policia ndaloi 119 emigrantë, të cilët po përpiqeshin të hynin nëpërmjet portit të Bilbao. Në 2016 -ën numri shkoi në 380. Këtë vit, shifrat kapën rekordin me 1200 emigrantë.

Në mesin e të ndaluarve përfshiheshin 60 irakianë, 45 afganë dhe 25 pakistanezë. Deri më tani, shkruan gazeta, 950 prej tyre erdhën nga Shqipëria.

Në një tjetër kamp, rreth 300 metra nga porti i Bilbao, gazetarët investigues gjetën një numër të madh shqiptarësh, pjesa më e madhe adoleshentë dhe në të 20 -at.

“Disa prej tyre po largoheshin nga ish – vendi komunist, pasi përballen me persekutimin mbi etninë e tyre, orientimin seksual apo fenë”,

thuhet më tej në shkrim.

Megjithatë, shkruan më tej gazeta, me papunësinë e lartë në vend në mesin e të rinjve, shumë të tjerë janë emigrantë ekonomikë. Mbretëria e Bashkuar, me 20 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë në mënyrë të ligjshme atje, është destinacioni më popullor për ta.

Një javë më parë, policia shkatërroi dy kampe në kodrat përreth Bilbao, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar trafikantët apo “klientët” e tyre të dëshpëruar.

Në momentin që kanë mbërritur në port, ata rrezikojnë që të plagosen rëndë e madje edhe të humbin jetën, në përpjekje për të nisur një jetë të re në Britani.

Shumë hidhen nëpër kamionë në lëvizje ose fshihen nëpër trajlera të parkuar me shpresën që të mund të sigurojnë rrugën.

Të tjerë ndihmohen që futen në kontenierë, duke rrezikuar që të asfiksohen ndërkohë që ndodhen në pritje që dyert të hapen sërish, në momentin që kanë mbërritur në destinacion. Disa hidhen në tragete ndërkohë që mjetet po largohen nga porti.

Ismaili nga Peshkopia zbuloi më tej se kishte një muaj që qëndronte në Spanjë.

“Kur erdha kishte më shumë njerëz të tjerë. Disa hoqën dorë dhe shkuan në Itali, ndërsa të tjerë ia dolën që të shkonin në Britani”.

“Njoh njerëz që ia kanë dalë që të shkojnë dhe punojnë në Londër në ndërtim apo punë të tjera ekstra që munden”.

Me një anglishte të çalë, ai tha se sëbashku me nipin kishin fluturuar nga Shqipëria në Paris, kishin blerë një tendë dhe kishin udhëtuar drejt Bilbao me autobus për 12 orë. Bileta për secilin kishte kushtuar 70 euro.

Ismail, shkruar më tej në artikullin e saj gazeta britanike, shpreson që të fitojë para në Britani në mënyrë që të mbajë prindërit e tij në moshë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes që ndodhen në Shqipëri.

“Nuk ka punë në vendin tim. Është shumë e vështirë. Politikanët nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Do të doja shumë të punoja si saldator në Angli, megjithatë do të bëj ç’të gjej. Më duhet thjeshtë të shkoj atje.”

Një tjetër shqiptar rreth të 20 -ave, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij, tha se kishte punuar një vit në Gjermani dhe tani është në Angli. Ai është kapur tri herë në kamionë.

“Duhet kohë. Policia mund të na kapë shumicën e rasteve, por jo gjithmonë. Shpresoj që herën tjetër ata nuk do të më gjejnë. Kam miq në jug të Londrës dhe kur të arrij atje do të jetoj me ta. Ata thonë që atje ka shumë punë, pra mund të fitohen shumë para.”

Tragetet bëjnë 3 rrugë me pasagjerë në javë, nga Bilbao drejt Portsmouth. Deri më tani, vetëm këtë vit janë ndaluar 1765 emigrantë në bord. Prej tyre, 66 u kapën nga Forcat Kufitare britanike, pasi kishin mbërritur në këtë shtet.

Drejtori i asociuar i firmës, Roberto Castilla tha:

“Vendasit janë të shqetësuar se çfarë mund të ndodhë më tej. Trafikantët punojnë në grupe në mënyrë që të shpërqëndrojnë rojet”.

“Security bën një punë të mirë, por porti ka një sipërfaqe prej 11 kilometrash, ndaj është e vështirë. Emigrantët qëndrojnë në majë të kodrave, në mënyrë që të kenë një pamje të plotë të të gjithë portit”.

Castilla tha më tej se problemi është përkeqësuar në mënyrë dramatike që prej 2012 -ës.

“Në atë kohë kapnim mbi 300 persona në vit. Tani mund të shkojë në 300 në muaj”.

Agjencia Kombëtare e Krimit ka ngritur shqetësimin e bandave të dhunshme shqiptare, të cilat kontrollojnë trafikun e qenieve njerëzore dhe kokainës.

Policia spanjolle tha se numri i emigrantëve është rritur qëkur u mbyllën kampet në Calais.

“Deri më tani numri më i madh është nga Shqipëria, meshkuj dhe të rinj, bëjmë sa mundemi

“, tha një zyrtar i policisë për gazetën./tvklan.al