Deputeti socialist, Pandeli Majko, anëtar i Komisionit të posaçëm i reformës në drejtësi, i kundërpërgjigjet propozimit të Partisë Demokratike për zgjedhje të reja dhe referendum, duke e pranuar këtë si opsionin me të përshtatshëm nëse reforma në drejtësi dështon.

Ne një postim në rrjetet sociale që e titullon “Delet nuk meritojnë referendum”, Majko i drejtohet votueseve të djathte si për të shpjeguar se reformën në drejtësi po e mbajnë peng drejtues të partisë, për të cilët ata kanë dhënë votën.

Ai e quan të padëgjuar qëndrimin e fundit të demokratëve, të cilët sipas tij po artikulojnë se kundërshtojnë që procesi i VETINGU-t të bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët pasi cënon sovranitetin e vendit .

Majko nënvizon se qëndrimi i tij është personal dhe ai është dakord të shkohet në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë për t’i bërë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes.

“Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do. Nëse demokratët janë gati, t’i ftojmë së bashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë!”, shkruan Majko. /TV KLAN