Trafiku mund të jetë një stres i vërtetë, sidomos për ata që janë të detyruar që të udhëtojnë çdo ditë me makinë. Por falë avancimit të teknologjisë, shumë shpejt njerëzit do të kenë mundësinë që të lëvizin me anë të makinave fluturuese.

Terrafugia, kompania që qëndron pas konceptit të automjetit TF – X, siç raporton “Daily Mail”, shpreson që të ketë gati një prototip të makinës fluturuese brenda 2 viteve të ardhshëm, ndërsa parashikohet që brenda 8 viteve të dalë në shitje masive.

Sipas kompanisë nga Massachusetts, një prototip i plotë, pritet që të jetë gati në 2018 – ën.

Koncepti i makinës së kësaj kompanie ka 4 krahë dhe 2 motorë elektrikë binjakë, të lidhur me njëri – tjetrin.

Këta motorë e lejojnë TF – X që të lëvizë nga një pozicion vertikal në horizontal dhe do të kenë 300 kuaj fuqi motorike.

Kjo makinë parashikohet të ketë një shpejtësi prej 322 km/h sëbashku me një gamë fluturimi prej 805 km.

Terrafugia thotë se synon të krijojë një automjet që do të mund të parkohet lehtësisht në garazh, si çdo makinë e zakonshme.

TF – X, katër – vendëshe, parashikohet të jetë gjysmë – automatike, e pajisur me kontrolle kompjuterike që do t’i mundësojë pasagjerëve që të shtypin destinacionin përpara se të nisen për udhëtim.

Sipas kompanisë, do të jetë operatori i TF – X që do të vendosë për zonën ku do të ulet, pasi të jetë siguruar që është e sigurtë.

Ky automjet do të jetë në gjendje që të evitojë automatikisht trafikun ajror, motin e keq dhe zona e ndaluara, si dhe kullat ajrore të vrojtimi.

Makina do të jetë në gjendje të karikojë bateritë nga motori i saj ose duke e vënë në karimin në një stacion për karikimin e makinave elektrike.

Modeli më i fundit i kësaj makine u zbulua në “Experimental Aircraft Association”, eventi i përvitshëm që mbahet në Oshkosh, Wisconsin.

Terrafuga ka publikuar gjithashtu një animacion që tregon sesi do të  funksionojë ky automjet. /tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/wHJTZ7k0BXU