Senati i Shteteve të Bashkuara javën e ardhshme do të votojë për propozimin që Mali i Zi të bëhet anëtari më i ri i aleancës së NATO-s, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Vendimi për të shkuar në votim erdhi pasi administrata e Trumpit u bëri thirrje ligjvënësve që të lëvizin më shpejt për këtë çështje.

Agjencia Reuters më 21 mars raportoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u kishte shkruar letër udhëheqësve të Senatit, duke thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ishte “fuqishëm në interes të Shteteve të Bashkuara”.

Të gjithë 28 anëtarët e NATO-s, duhet të ratifikojnë pranimin e Malit të Zi, përpara se vendi zyrtarisht t’i bashkohet aleancës. Deri më tani vetëm katër shtete nuk kanë miratuar pranimin e Malit të Zi.

Votimi në Senatin amerikan ishte bllokuar për muaj të tërë nga dy seantorë republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.

McConnell më 23 mars ka njoftuar se ai do të caktojë që votimi procedural për këtë çështje të bëhet më 27 mars në Senat.

Ndihmësit në Senat thonë se presin që kur pengesat procedurale të jenë tejkaluar, Senati do të miratojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO./REL