“Mallkimi” i Presidentit



Nga Blendi Fevziu

“Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Kjo është pika e parë e nenit 86 të Kushtetutës së Shqipërisë! Në fakt si të ishte një mallkim, pikërisht ai person që duhej të përfaqësonte Unitetin e Popullit dhe që duhej të kishte një rol më shumë simbolik pajtimi dhe bashkimi, ka qenë posti më i bojkotuar në Shqipëri. Ilir Meta u bë sot president i Republikës sipas një procedure të ngjashme me dy parardhësit e tij, me gjysmën e sallës bosh. Opozita mungoi sërish, ashtu siç ka ndodhur edhe në 2012 me Nishanin dhe në 2007 me Topin.

Por të tre votimet e fundit nuk janë të vetmet. Në tetë votimet presidenciale pluraliste, më shumë se gjysma, pra 5 prej tyre janë kryer në bojkot, pa njërën palë në sallë. Në Mars të vitit 1997, opozita socialiste nuk kishte hyrë në parlament në momentin që Sali Berisha u votua për një mandat të dytë Presidencial, duke u bërë i vetmi në këto 27 vjet që fitoi dy mandate, por pa e ushtruar të dytin më shumë se 4 muaj. Pra Berisha u zgjodh me sallën gjysëm bosh.

Po më 1997, pas dorëheqjes së Berishës, Rexhep Meidani po ashtu u bë president i vendit në një sallë gjysëm të zbrazur. E djathta që sapo kishte dalë në opozitë nuk pranoi të merrte pjesë në zgjedhjen e tij, duke e lënë sërish një proces të cunguar.

Më 2007, sërish opozita e majtë bojkotoi seancat për zgjedhjen e Presidentit dhe Bamir Topi u zgjodh vetëm me votat e PD dhe 6 vota socialistësh që thyen bojkotin dhe për këtë u përjashtuan nga partia.

Më 2012 ishte radha e Nishanit që sërish të zgjidhej në një parlament gjysmak. Edhe në atë kohë e majta bojkotoi dhe Nishani u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës.

Sot ishte radha e Metës të zgjidhej President në mungesë të opozitës së djathtë, pa arritur ta thyejë mallkimin që po shoqëron prej 15 vitesh zgjedhjen e Presidentit, atë të pranisë në sallë të vetëm njërës palë.

Tre votimet në normale në Parlamentin e Shqipërisë kanë qenë si për ironi të fatit dy të parat, ato në fillimet e pluralizmit. Ai i zgjedhjes së Ramiz Alisë në Prill 1991 dhe ai i zgjedhjes së Sali Berishës po në prill 1992. Këto janë dy votimet normale kur opozita mori pjesë në sallë edhe pse në të dyja rastet votoi kundër.

Rasti i vetëm që i afrohet shumë përkufizimit të kushtetutës ka qenë ai i vitit 2002, kur Alfred Moisiu u zgjodh si president konsensual, me votat e përbashkëta të së majtës dhe të djathtës. Moisiu u bë Presidenti me numrin më të madh të votave të fituara në parlament dhe i vetmi ndër 7 Presidentët që u pranua nga të gjithë.

Po si shpjegohet që shqiptarët janë të paaftë të zgjedhin një President të pranueshëm nga të gjithë? Si shpjegohet që pikërisht njeriu që duhet të reflektojë unitetin kombëtar të vendit është zgjedhur në më shumë se gjysmën e rasteve me vetëm një pjesë të deputetëve në sallë dhe me bojkot të palës tjetër? Cili është mallkimi që e shoqëron këtë post dhe si mund të shpëtojmë prej tij? A duhet që Presidenti të zgjidhet këtej e tutje nga populli, duke ja dhënë të drejtën të zgjedhin simbolin e unitetit të tyre vetë qytetarëve dhe jo t’ja delegosh atë deputetëve të forcave politike, që varësisht situatës së momentit kanë krijuar një precedent si ky? Dhe që e kanë kthyer këtë precedent në një mallkim për njeriun që duhet të jetë simbol i unitetit kombëtar!

Kategori
AnalizaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*







Emisione