Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të Deputetit socialist, Rakip Suli dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë.

Sipas opozitës, Deputeti Suli është në konflikt të pastër interesi, pasi i biri i tij, ka përfituar fonde publike nëpërmjet dhënies me qera një godine të OSHEE -së.

Por mazhoranca në Këshill doli në përfundimin se, çështja nuk mund t’i kalohet automatikisht për shqyrtim Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë mbledhjes, deputetët e opozitës e cilësuan të vonuar marrjen në shqyrtim nga Këshilli të kërkesës së tyre.

Përfaqësuesit e opozitës në Këshill thanë se, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin Kokëdhima, edhe çështja për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të Deputetit Suli, duhet t’i kalojë kësaj trupe gjykuese.

Pretendimet e opozitës u hodhën poshtë nga avokati i Deputetit Suli.

Socialisti Fatmir Xhafaj i cilësoi show pretendimet e opozitës.

Raporti i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin me dy mendime të ndryshme do t’i paraqitet për votim seancës plenare.

Tv Klan