Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ftuar këtë të mërkurë në studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ka deklaruar se thirrja e Këshillit të Sigurisë nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pas kërkesës së kreut të Kuvendit Ilir Meta, në lidhje me çështjen e Klement Balilit është një rast specifik dhe i veçantë.

Çfarë domethënë Klement Balili është një shkelës i ligjit, por jo një terrorist. Nëse Këshilli i Sigurisë do mblidhej për çdo drogaxhi, i binte që ju të rrinit vetëm në Këshill?

“Ky rast është i veçantë edhe për shkak të orëve të harxhuara në lidhje me hetimet rreth kësaj çështjeje, si dhe ka patur një interes shumë të madh nga shërbimet partnere, nga SHBA në mënyrë të veçantë. Po flasim për një temë e cila shqetëson opinionin publik dhe Sigurinë Kombëtare dhe është tema e kanabisit, e cila është një temë që kërkon vëmendje të madhe”. 

A është kjo një tentativë për të hequr qafe akuzat që janë bërë në drejtim të z.Meta, po edhe ndaj jush për Balilin?

“Nuk është vendi për të larë mëkatet, por akuzat nga politika nuk kanë munguar asnjëherë. Çështja është sesi është reagimi shtetëror dhe zyrtar për këtë rast. Unë si Ministër i Drejtësisë kam qenë shumë i qartë dhe i prerë  për këtë rast si asnjë rast tjetër, edhe për të shuar keqkuptimet publike”.

A keni qenë i lidhur personalisht lidhur me Balilin?

“Klement Balilin e njoh shkresërisht. Shkresërisht, për sa i takon letër-porosive që kam transmetuar ndërmjet komunikimit zyrtar me Prokurorinë e shtetit tonë dhe Prokurorisë së shtetit grek. Kjo është ajo që di dhe jam i vetmi zyrtar që kam folur hapur dhe gjithmonë kam kërkuar, edhe kur ju nuk e kishit mendjen për shkak të aksesit në informacion, që ky person të arrestohej. Dhe historia e këtij personi fillon dhe mbaron me një datë të vetme, 17 Maj i vitit të kaluar. Kjo ishte dita kur Klement Balili është vendosur në regjim kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe në bazë të rregullave, ai arrestohet”.

Gjithashtu Ministri Manjani u shpreh edhe në lidhje me pastrimin e gjyqësorit në vend (Vettingut), duke deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët e shtetit shqiptar, do të kalojnë në një periudhë rivlerësimi.

“Gjyqtarët dhe prokurorët aktualë do të kalojnë në një periudhë rivlerësimi, ku do iu rivlerësohet pasuria, për këtë arsye po e bëjnë deklarimin e imtësishëm. Figura në raport me shoqërinë, detyrën, moralin etj dhe do rivlerësohet edhe aftësia profesionale”.

Kush do t’i gjykojë këta persona, sa të pastër janë shokët e tyre? Politika?

“Do gjykohen nga juristë me 15 vjet përvojë. Nuk ka punë politika fare. Do ndërtohet një strukturë kushtetuese, ka një komision më 12 vetë, i cili do ketë katër trupa gjykues me nga tre anëtarë. Mbi këto do jetë një kolegj apelimi, pranë Gjykatës Kushtetuese, e cila do shqyrtojë apelimet. Jashtë këtyre do të jenë dy komisionerë që do flasin në emër të publikut dhe do të jenë juristë me shumë përvojë dhe me filtër shumë të rreptë. Janë pjesë e kësaj shoqërie. Pra shoqëria të kontrollojë gjyqësorin, ky është Vetting -u. Elementë të veçantë, por profesionalistë do të duhet të vlerësojnë pastërtinë, figurën dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Kur do të ngrihet komisioni?

“Që të ngrihet Komisioni duhet një njoftim publik. Duhet ta bënte Presidenti, por për shkak të gjykimit në Gjykatën Kushtetuese, afatet janë kapërcyer disa herë. Mesa di, Presidenti ka mbajtur një qëndrim zyrtar dhe nuk do ta vazhdojë më këtë histori për shkak të afateve. Nesër Avokati i Popullit e fillon këtë procedurë dhe me një llogari të thjeshtë, duhen 112 ditë në rast se gjërat shkoj në mirë dhe do ketë një vullnet të mirë për ta kapërcyer. Ka një shtrëngesë prodecuriale. Afati i këtij sesioni parlamentar është deri në 4 Maj. Deri në 9 Korrik, parlamenti mund të mblidhet sa herë të ketë nevojë dhe brenda kësaj periudhe, parlamenti pritet të mblidhet. Pas 9 Korrikut deri në 9 Shtator, parlamenti nuk merr dot vendime”.

Çfarë është SPAK dhe cili është objektivi i tij?

“Është një grup prokurorësh të specializuar vetëm për çështjet e korrupsionit. Kemi futur edhe krimin e organizuar, por më tepër vetëm për korrupsionin dhe do merret vetëm me zyrtarët e lartë. SPAK do të hetojë të gjithë zyrtarët e korruptuar edhe lidhjet e tyre, të përfshira më zyrtarin publik. SPAK është i pavarur. Janë 9 prokurorë, në mos gaboj në numër apo 11, si dhe do jenë dhe 9 investigues që nuk varen nga askush. SPAK ka një drejtues”.

Çfarë po ndodh midis LSI dhe PS në zgjedhjet e ardhshme? Ka një marrëveshje që do dilni bashkë në zgjedhje?

“Nuk di të kemi ende një marrëveshje”.

Burimet mediatike se mes LSI, PS dhe PDIU do dilni në zgjedhje bashkë?

“Nuk di të them, unë jam anëtar i qeverisë, jam në punë dhe me këto pyetje po me vendosni në siklet. Unë jam “përfituesi” i këtij koalicioni dhe nuk mund të them. Ka diskutime në çfarë natyre do të jetë koalicioni, por nuk ka asnjë marrëveshje. LSI, në vitin 2009 konkurroi e vetme pas disa thirrjeve të PS dhe iu përgjigj një ftese dhe bëri shumë mirë. Mandatet LSI i mori e vetme dhe i mori vetë votat”.

Ju keni qenë i ashpër me PDIU? Ku qëndron problemi?

“Nuk e kuptoj pse unë jam gogoli i PDIU kaq papritur, ndoshta për shkak të keqkuptimeve. Unë nuk kam sulmuar PDIU për asnjë arsye. Zoti Idrizi është zyrtarisht deputeti i PD, ndërsa Ben Blushi i PS”.

//tvklan.al