Maroku do të luajë për herë të parë ndaj Shqipërisë. Përfaqësuesja afrikano-veriore po përgatitet në Tiranë për këtë miqësore, që shërben për trajnerin Herve Renard në prag të sfidës kualifikuese të Kupës së Afrikës me Sao Tome e Principe.

Maroku do të mbështetet te kapiteni Medhi Benatia. Mbrojtësi i Juventus është ylli skuadrës që do të zbresë mbrëmjen e së mërkurës në fushën e “Loro Boriçit”.

Mungon mesfushori i Napolit, Omar El Kaddouri, i cili është i dëmtuar në miqësoren me Hertha Berlin. Përfaqësuesja marokene renditet e 59 në FIFA, disa vende më poshtë se Shqipëria, por cilësohet si një ekip i fortë.

Rivali i fundit afrikan për Kombëtaren ishte Kameruni më 13 nëntorin e 2012 në miqësoren pa gola e luajtur në Gjenevë. /TV KLAN